VLEN dhe VMRO votuan legalizim që pamundëson parkingjet në kate te Qendra Sportive, a po përgatitet skenar si te ish-Monopoli?

Shumica në Këshillin Komunal të Tetovës e përbërë nga VLEN dhe VMRO, dje votuan vendim me të cilin legalizuan objekt ku me planin detal urbanistik për Bllokun Urban 29, te Qendra Sportive, është e paraparë garazh me kate (P+5), me kapacitet prej 1425 vendparkime. Më Mirë për Tetovën e konsideron të dëmshëm dhe skandaloz këtë vendim, raporton Portalb.mk.

Në seancën e djeshme të Këshillit Komunal të Tetovës, shumica e përbërë nga VLEN dhe VMRO votuan legalizimin e disa objekteve të ndërtuara pa leje, mes të cilave edhe për Parcelën Katastrale nr. 1630/1 KK Tetovë-1, te qendra sportive.

Legalizimi për këtë parcelë ka qenë në rend dite edhe në seancën e tetë, por e njëjta u tërhoq si propozim.

Hapsira ku u legalizua objekti pa leje në Tetovë ( Blloku Urban 29, Parcela Katastrale 1630/1). Foto: Printscreen
Hapsira ku u legalizua objekti pa leje në Tetovë ( Blloku Urban 29, Parcela Katastrale 1630/1). Foto: Printscreen

Këshilltari i Më Mirë për Tetovën – Agron Arifi, kërkoi që kjo pikë të tërhiqet dhe të mos votohet sepse pamundësohet ndërtimi i mbi 1400 parkingjeve dhe hapet rruga për shitjen e tokës, si në skenarin e ish-Monopolit.

“Këtë nëse e kalojmë i bëhet dëm i madh qytetit. Te parcela katastrale 1630/1 në Qendrën Sportive e ndërtuar në hapsirën ku me planin detal urabnistik të bllokut 29 është e paraparë garazh në kate në 6 nivele për 1420 vendparkime. Me këtë legalizim të objektit privat i cili është në tokë shtetërore do prishet plani urbanistik dhe do pamundësohet ndërtimi i objektit me interes publik – garazh në kate, është premtim të cilin e ka dhënë edhe kryetari i komunës. Me këtë votë do e bëni legalizimin dhe do e pamundësoni që në atë parcelë të ndërtohen 1400 vendparkime”, tha Arifi.

Me këtë vendim në të ardhmen, të njëjtit person do t’i mundësohet blerja e tokës ndërsa me legalizim mundësohet riformësimi i parcelës, nëse ka tokë RM.

“Çmimi me të cilin ai do ta blejë tokën në qendër të qytetit do jetë 480 denarë apo 7 euro metër katori, edhe parkingun në kate do e humbim, por edhe rifomrësim të parcelës ju do e jepni me çmim çokollate metrin katror”, tha Agron Arifi.

Rilind Selmani nga Sektori i Urbanizmit në komunë tha se shkalla e dytë i detyron ta miratojnë.

“Sa i përket lëndës në fjalë të cilën e diskutoi Agroni, ne në këshillat paraprake e kemi refuzuar të njëjtën lëndë, dhe për këtë lëndë ka vendim nga shkalla e dytë ku na detyron që të ja miratojmë”, tha Selmani.

Megjithatë, këshilltari i Më Mirë për Tetovën tha se kjo nuk është e vërtetë, pasi bëhet fjalë për të njëjtn parcelë, por për person tjetër. Ai theksoi se po përgatitet skenar i shitjes së tokës shtetërore si te hapsira e ish-Monopolit.

Megjithatë, shumica e këshillit komunal me 16 vota për e miratoi këtë vendim, 13 këshilltarë votuan kundër.

Në seancën e djeshme, plotësimi dhe ndryshimi i Programit për menaxhimin me tokën ndërtimore në Komunën e Tetovës nxiti debat dhe protestë brenda sallës së Këshillit Komunal. Opozita akuzoio se komuna do të shesë disa parcela me çmim prej 1 euro metër katror, ndërsa nga komuna thonë se kjo nuk do të ndodhë, këshilltari i Më Mirë për Tetovën i tregoi se cilat parcela janë në plan për tu shitur.

Kujtojmë se vitin e kaluar opinioni mësoi se Komuna e Tetovës në mënyrë jotransparente e ka lejuar shitjen e tokës shtetërore te ish-Monopolli prej 6,817 metër katrorë për 70 denarë metër katrori, dhe se aty do të ndërtohen ndërtesa. 

Hulumtimi i Portalb-it tregoi se e gjithë kjo procedurë pati filluar në vitin 2019 kur në krye në komunës ka qenë Teuta Arifi. 

Ky bllok edhe pse ishte i paraparë si zonë industriale, Këshilli Komunal i përbërjes 2021/25 i Tetovës, shumicën e të cilit e përbënin Lëvizja Besa dhe VMRO-DPMNE, në nëntor 2024 e kthyen në zonë banimi, me çka u dha drita e gjelbër që në këtë zonë mund të ndërtohet.mPra, ka qenë në dorën e udhëheqësisë aktuale të Komunës së Tetovës që të vendosë nëse tek ish-Monopolli do të ndërtohen banesa ose jo.

Kryetari i komunës Bilall Kasami nuk është treguar tërësisht i sinqertë kur thotë se gjithçka është ‘gatuar’ më herët. Ai gjithashtu ka pasur mundësi të pezullojë Planin Detal Urbanistik e përgatitur në kohën e Teuta Arifit ose të privatizojë tokën shtetërore pas ri-destinimit në zonë për banim kolektiv.