VLEN dhe BDI akuzojnë njëra tjetrën për rritjen e ndikimit serb në RMV
Partitë politike shqiptare në vend janë përplasur në lidhje me rritjen e ndikimit serb në Maqedoninë e Veriut, duke akuzuar njëra tjetrën për bashkëpunim me protagonistë serbë, shkruan Portalb.mk.
Nga VLEN kanë akuzuar Bujar Osmanin nga BDI se, në kohën kur ka qenë ministër i jashtëm, i ka bërë pritje zyrtare Vlladimir Stajiq, konsulli i nderit i Serbisë.
Ata kanë kërkuar nga BDI që të përgjigjen për Stajiqin, “për fotografitë e për allashverishet që po u dalin në shesh”.
“Bujar Osmani duhet të përgjigjet qartë. Kush është Vlladimir Stajiq për Bujar Osmanin? Pse, në kohën kur Bujar Osmani krekosej me kryesimin e OSBE-së, Stajiqi ishte në pritje zyrtare si konsull i nderit i Serbisë në Maqedoninë e Veriut? Kush e ftoi? Çfarë raporti kishte me të? Shqiptarët meritojnë ta dinë të vërtetën”, thuhet në komunikatën e VLEN-it.
Ndërkaq, nga BDI kanë kritikuar VLEN-in duke e parë si shqetësuese heshtjen e koalicionit shqiptar në qeveri ndaj pretendimeve të bëra nga opozita se një zëvendëskryeministër i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është bashkëpunëtor i shërbimeve serbe. Ata po ashtu kanë thënë se VLEN po hesht edhe ndaj tubimit në Kumanovë në mbështetje të Aleksandar Vuçiqit, ku kishte thirrje kundër Kosovës.
“Këto zhvillime vijnë vetëm pak kohë pasi në debatet evropiane u ngritën shqetësime serioze se Maqedonia e Veriut po rrëshqet nën ndikimin e konceptit të ashtuquajtur “bota serbe”. Pyetja është: ku janë VLEN? Ndërsa hapen pyetje serioze për ndikime të huaja, për orientimin strategjik të shtetit dhe për cenimin e kursit euroatlantik, VLEN vazhdon të merret me studentët shqiptarë dhe me sulme ndaj zërit të rinisë shqiptare. Kur organizohen tubime me thirrje kundër Kosovës — heshtje. Kur ngrihen dyshime për ndikime serbe në nivelet më të larta të pushtetit — heshtje. Kur cenohet orientimi politik i shtetit — përsëri heshtje”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Kujtojmë se, të shtunën (23 maj 2026) u organizua një tubim në Kumanovë, ku disa qindra qytetarë dolën për të shprehur mbështetje për Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ata mbanin pankarta ku shkruhej se Kumanova dhe Shkupi janë me Vuçiqin, me flamuj serb dhe maqedonas që valëviteshin, me muzikë popullore serbe në sfond,
Kujotjmë se shqetësimet për rritjen e ndikimit të “botës serbe”, në Maqedoninë e Veriut, u theksuan vitin e kaluar edhe në Raportin e Parlamentit Evropian lidhur me Maqedoninë e Veriut.
- LEXO: Në Maqedoninë e Veriut u mbajt tubim në mbështetje të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, “bota serbe” në aksion
- LEXO: “Bota serbe” në terren, në Kumanovë organizohet tubim pro Vuçiqit
- LEXO: “Bota serbe” nuk është thjesht simbolikë, rrezikon shtetësinë dhe të ardhmen europiane të Maqedonisë së Veriut