Vitin e ardhshëm vendimi për Liqenin e Ohrit, UNESCO me vërejtje drejtuar Shqipërisë
Komiteti i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, i mbledhur në Nju Delhi në Indi, miratoi vendimet për Qendrat e Trashëgimisë Botërore shqiptare, Butrintin, Beratin dhe Gjirokastrën dhe shtyu për vitin e ardhshëm vendimin për zonën ndërkufitare shqiptare dhe maqedonase të Liqenit të Ohrit, raporton Zëri i Amerikës.
Në vendimin për Butrintin UNESCO u kërkon autoriteteve shqiptare të dorëzojnë një hartë të kufijve të pronës së Butrintit, të cilët janë ndryshuar dy vjet më parë nga qeveria shqiptare, pa dijeninë dhe pa miratimin e UNESCO-s.
UNESCO i kërkon Shqipërisë që t’i paraqesë Qendrës së Trashëgimisë Botërore, deri më 1 shkurt të vitit 2025, një raport të përditësuar mbi gjendjen e ruajtjes së pronës dhe zbatimin vendimit duke përfshirë një plan veprimi të detajuar me një afat kohor edhe për zbatimin e rekomandimeve të misioni të vitit 2022, për shqyrtim nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në sesionin e tij të 47-të.
Ndërkohë, në vendimin për Gjirokastrën dhe Beratin, UNESCO thotë se “ vëren me keqardhje se, pavarësisht kërkesave të mëparshme, Shqipëria nuk ka zbatuar plotësisht projektin për zhvillimin e Planit të Menaxhimit në bashkëpunim me sektorin qeveritar dhe civil, financuar nga Fondi i Trashëgimisë Botërore”.
Lidhur me vendimit e UNESCO-s Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI) tha përmes një deklarate se “mbështeti pa asnjë rezervë projekt vendimet e Qendrës së Trashëgimisë Botërore që Komiteti i UNESCO-s i zyrtarizoi me një qëndrim, unanim, që e konsiderojmë si shumë objektiv, tërësisht korrekt dhe jashtëzakonisht profesional”.
Ndryshe, edhe pse liqeni i Ohrit është pasuri e madhe natyrore e kulturore e Maqedonisë së Veriut, përballet me një sërë problemesh të cilat jo vetëm që e rrezikojnë liqenin të përjashtohet nga lista e vendeve të mbrojtura të UNESCO-së por dhe cenojnë ekzistencën e vet liqenit më të vjetër në Evropë. Edhe përkundër reagimit të aktivistëve, vetëdija e përgjithshme qytetare për mbrojtjen e liqenit mbetet e ulët, ndërsa nga ana tjetër, katastrofat ekologjike në këtë liqen neglizhohen edhe nga institucionet relevante.
Komiteti për trashëgimin botërore në UNESKO në sesionin e 45-të që e mbajti në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, vendosi që rajoni i Ohrit të mbetet në listën e vendeve të trashëgimisë botërore në UNESKO. Liqeni i Ohrit e fitoi statusin e Trashëgimisë natyrore botërore të mbrojtur nga UNESCO në vitin 1979.
- LEXO: Misioni i UNESCO-s të shkojë në terren dhe t’i shohë ndërtimet pa leje nga Radozhda deri në Shën Naum në Ohër, më pas të shkruajë raport, kërkuan organizatat joqeveritare
- LEXO: Ndotja e Liqenit të Ohrit në nivele alarmante, madje duket nga aeroplani
- LEXO: Ambientalistët e “Front 21/42”: Ligji për Liqenin e Ohrit shkel rregullat ndërkombëtare
- LEXO: RMV nuk i plotëson rekomandimet e UNESCO-s për trajtimin e Ohrit, organizatat civile të zhgënjyera
- LEXO: Rruga rreth liqenit nuk është rikonstruktuar, pjesa te lumi Sateska ngjan në një deponi të egër