Viti i ri me halle të vjetra për personat me aftësi të kufizuara
Shkruan: Refik Ajeti
Mirë se vini në vendin ku gjitha kategoritë e personave gëzojnë komoditetin për të festuar në cilëndo festë, përveç personave me aftësi fizike të veçanta. Këto festa atyre u kthehen në ankth, mërzi, dëshpërim dhe në fund izolim gjithëpërfshirës nga jeta shoqërore dhe nga bota në tërësi si pasojë e shumë faktorëve, siç janë: mungesa e hapësirave sipas nevojave të tyre nëpër lokale të ndryshme, për të gëzuar të drejtën që t’i bashkëngjiten çdo lloj festeje, mungesa e vetëdijes, dhe mbështetjes së nevojshme nga ana e rrethit ku ata persona jetojnë, duke mos ua lejuar vetes që t’i shohin këtë kategori të personave me një sy tjetër. Niveli i ulët i ndërgjegjësimit rreth të vërtetës është se “ashtu siç unë kam të drejtë për një gjë të caktuar, le t’i përvjelë mëngët që t’i jap mundësinë edhe tjetrit ta gëzojë këtë të drejtë, qoftë edhe në një mundësi ndryshe dhe më të pakët nga mundësia ime, por të paktën ta bëj të mos ndjehet i veçuar nga pjesa tjetër e shoqërisë.”
Mirë se vini në vendin ku, intelekti, mendja dhe zemra e shëndosh e një personi me aftësi fizike të veçanta, nuk merret parasysh për t’iu bashkangjitur zhurmës të të qeshurave dhe vallëzimit të paktën me duar në një festë kolektive, madje prezenca e tij në ato festa, perceptohet si “vjedhje e dëshirës për ta shijuar festën ashtu siç pretendoja.”
Mirë se vini në vendin ku personat me aftësi fizike shpesh festat i bëjnë të përfundojnë në mënyrën më të keqe të mundshme, duke ndikuar që me veprimet e tyre, një shoqërie të tërë t’i humbë dëshira për të festuar. Ndërsa në anën tjetër, ekspozimi i personave me aftësi fizike të veçanta në ndonjë festë, sidomos në festën e vitit të ri, atyre u kthehet në një arenë bullizuese në forma të ndryshme, duke filluar nga frikësohen nga të tjerët me mjete piroteknike vetëm për të shkaktuar të qeshura te një grup tjetër i njerëzve, që kënaqësinë e tyre e kanë të orientuar në shndërrimin e tjetrit në objekt talljeje., edhe kur u ofrohet pjata me ëmbëlsirë, dora e cila ia shërben, e bën këtë duke transmetuar energjinë më të negative të mundshme, që përkthehet në fjalët e pathëna në mënyrë verbale: “Urdhëro, u bëre ti që t’i shërbejmë ëmbëlsirë edhe në këtë ditë të veçantë të vitit”, gjë e cila i bën atë kategori njerëzish që shija e shërbetit t’iu duket si shije e uthullës në sallata.
Mirë se vini në vendin ku, më shumë kujdesemi që t’i bëjmë të tjerët ta shohin realitetin e tyre të hidhur që iu ka rënë në hise nga faktorë të ndryshëm si aksidenti apo nga fakti se ashtu janë të lindur dhe të rritur., se sa të mundohemi të krijojmë kushte që t’ua lehtësojmë mënyrën e jetesës, qoftë edhe në një segment të vetëm të jetës.