Viktimat e abuzimit nga priftërinjtë katolikë nga Belgjika u takuan me Papën
Pesëmbëdhjetë viktima të abuzimit seksual nga priftërinjtë katolikë në Belgjikë patën një takim dy orë e gjysmë me Papa Leo XIV në Vatikan mbrëmë, gjatë të cilit i kërkuan të shkarkonte presidentin e Konferencës së Peshkopëve Belgë, Kryepeshkopin Luc Terlinden, transmeton VaticanNews.
Sipas Koen van Sumere, një nga 15 viktimat e pranishme në audiencë, në një deklaratë për televizionin VRT, informoi se biseda ishte planifikuar të zgjaste një orë e gjysmë, por u zhvillua në një takim dy orë e gjysmë.
“Ishte një bisedë neutrale. Vërtet shkoi shumë mirë. Papa është një person empatik”, tha Van Sumere.
Jan Peipe, gjithashtu një viktimë e abuzimit priftëror i pranishëm në takim, shtoi se në bisedë ata ngritën edhe çështjen e “aspektit financiar” të kompensimit, duke i kërkuar Papës t’i “bindë” peshkopët belgë që të rishqyrtojnë çështjen e “mbështetjes financiare për viktimat sa më shpejt të jetë e mundur”.
Sipas Pipe, Papa u tha atyre të përqendroheshin në gjëra të tjera së pari.
“Shpejt u bë e qartë se ai nuk e konsideronte aspektin financiar si më të rëndësishmin”, tha Pipe, duke shtuar se në fund, Papa u tha se nuk mund t’u premtonte asgjë, por se do të fliste me peshkopët për këtë çështje.
Viktimat i dorëzuan gjithashtu papës një letër në të cilën kërkojnë që kryepeshkopi i Mechelen-Brukselit, Luc Terlinden, i cili është praktikisht kreu i Kishës Katolike në Belgjikë, të zëvendësohet “me dikë kompetent”.
Në letër, viktimat tregojnë se do të donin ta zëvendësonin Terlinden me dikë “që është kompetent për të udhëhequr” katolikët në Belgjikë.
Gjatë bisedës, viktimat kërkuan gjithashtu që të gjithë ata që duan të bëhen priftërinj të Kishës Katolike të kalojnë së pari një test psikologjik dhe që shëndeti i tyre mendor të merret parasysh gjatë arsimimit të tyre.
Skandali i abuzimit seksual të të miturve nga priftërinjtë katolikë në Belgjikë shpërtheu në shtator 2023 pas transmetimit të dokumentarit “I Forgot About God”. Dokumentari u bazua në një libër të një prifti belg, në të cilin u transmetuan dëshmitë e njëqind personave që u abuzuan seksualisht nga priftërinjtë në fëmijërinë e tyre.
Filmi shkaktoi një reagim të ashpër në publik, gjë që rezultoi në krijimin e komisioneve hetimore në Parlamentin Federal Belg dhe në Parlamentin Rajonal Flamand me detyrën e hetimit të të gjithë çështjes.
Komiteti i Parlamentit Flamand publikoi raportin përfundimtar të hetimit në maj të vitit të kaluar me mbi 100 rekomandime për trajtimin e abuzimit të fëmijëve dhe dhunës seksuale në Kishë dhe në shoqëri në tërësi.
Në përgjigje të rekomandimeve, Kisha Katolike në Belgjikë njoftoi në qershor 2024 se do të kryente anketë, me qëllim “dëgjimin e viktimave të abuzimit nga priftërinjtë” dhe marrjen e njohurive mbi ngjarjet nga “grupi më i gjerë i mundshëm i viktimave”.