Vijojnë bisedimet Kosovë-Serbi në Bruksel përderisa ka tensione në veri
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq mbajnë takime sot në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Takimi ndërmjet kryenegociatorëve, zhvillohet në kohën e tensioneve të reja në veri të Kosovës, pas djegies së disa veturave të qytetarëve serbë që mbajnë targa me inicialet e Kosovës, (RKS). Mbrëmjen e së shtunës në komunën e Leposaviçiq, persona të panjohur dogjën tri vetura, dy prej të cilave ishin me targa RKS, shkruan DW.
Policia e Kosovës ka arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në Mitrovicën e Veriut më 1 prill në kuadër të një aksioni për luftimin e krimit të organizuar dhe parandalimin e kryerjes së veprave kriminale. Policia e Kosovës, njoftoi se pas hetimeve intensive, arrestoi një person të dyshuar për djegien e veturave të serbëve. Sipas policisë i arrestuari dyshohet për disa vepra penale, përfshirë këtu pjesëmarrje në një sulm ndaj një njësie të Policisë së Kosovës, “pjesëmarrje apo organizim të grupit të organizuar kriminal”, “vrasje në tentativë”, “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “sulm ndaj zyrtarit gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
Reagimet serbe pas arrestimit e kundërpërgjigja e Kosovës
Arrestimi nxiti reagimin e Listës Srpska, e cila tha se “Prishtina zyrtare po keqtrajton popullin serb në veri, të cilët do të reagojnë me zemërim”. “Për ta sqaruar, ky nuk do të jetë ndonjë paralajmërim, por një kryengritje e përgjithshme për ta ndalur shtypjen e Albin Kurtit ndaj qytetarëve të pafajshëm”, thuhet në deklaratë e Listës Serbe. Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, tha se “përmes arrestimit të serbëve në Kosovë, Qeveria e Kosovës dëshiron ta destabilizojë gjendjen dhe t’i shmangë detyrimet që ka ndërmarrë përmes marrëveshjes së Ohrit”. “Është shumë e qartë se një situatë e vjetër është në horizont, dhe një krizë e re e prodhuar nga Prishtina”, tha Daçiq, duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të “reagojë urgjentisht” dhe të bëjë presion mbi autoritetet në Prishtinë për ta parandaluar përshkallëzimin e situatës.
Por ministri i Brendshëm e Kosovës, Xhelal Sveçla, u kundërpërgjigj, duke thënë, se “i arrestuari ka qenë pjesë aktive e strukturës kriminale të të ashtuquajturës ‘Mbrojtja Civile’, dhe më parë ai kishte sulmuar Policinë e Kosovës, duke i plagosur dy zyrtarë të saj”. “Pas djegies së veturave në veri qëndron Beogradi, me qëllimin që të shkaktojë frikë tek qytetarët. Organet e sigurisë kanë dëshmi për përfshirjen e të arrestuarit në sulmet ndaj infrastrukturës kritike të Republikës”, shkroi ministri Sveçla.
Reagime ndërkombëtare
Aksionet e djegies së veturave të serbëve u dënuan ashpër nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it. Pati kritika edhe ndaj Listës Srpska, që nuk po dënon këto akte të dhunshme. Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, tha se SHBA-ja e dënon “djegien kriminale të veturave në veri të Kosovës”. “Qeveria e Kosovës ka përgjegjësi që t’i mbrojë qytetarët e saj dhe të sigurojë llogaridhënie për këto akte kriminale”, ka shkruar ai në Twitter.
Ambasadori gjerman, Jörn Rode, shkroi se pse Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, nuk i dënoi incidentet në komunat në veri. “Është shumë shqetësuese që Lista Serbe nuk e dënoi përsëri djegien e veturave të qytetarëve. Të gjithë duhet të jenë të bashkuar në dënimin e kësaj praktike”, shkroi ai në Twitter. Shefi i zyrës së BE-së, në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se “dëmtimi i pronës private që ka ndodhur gjatë dy ditëve të fundit, ka synim frikësimin e popullatës lokale”. “Kjo është e papranueshme dhe duhet të dënohet nga të gjithë aktorët relevant”, tha Szunyog. Kësaj thirrje iu bashkua edhe ambasadori i Britanisë së Madhe Nicholas Abbott, dhe ambasadorët e tjerë të vendeve të QUINT-tit. “Të gjithë aktorët serioz politikë duhet t’i dënojnë këto akte dhune dhe rreziqet që ato paraqesin për stabilitetin dhe qetësinë. Hetimet e shpejta për këtë kriminalitet janë të nevojshme dhe duhet të kryhen me ndjeshmëri dhe seriozitet”, tha ambasadori Abbot.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, tha se “veprimet e fundit kriminale në veri të Republikës së Kosovës, të orkestruara nga struktura ilegale të mbështetura nga Beogradi, kanë për qëllim frikësimin dhe kanosjen e popullatës lokale serbe, si dhe krijimin e një klime frike dhe pasigurie”. Presidentja theksoi se “Kosova do të vazhdojë të jetë plotësisht e koordinuar me aleatët ndërkombëtarë për të vazhduar përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet të qëndrueshëm, ndërsa është e përkushtuar për zbatimin e rendit dhe ligjit në të gjithë territorin e Republikës”.
Pse digjen veturat me targat RKS?
Djegia e veturave të serbëve me targa me inicialet e Republikës së Kosovës RKS, është shndërruar në fenomen në veri të Kosovës banuar më shumicë serbe. Kjo ka filluar vitin e shkuar, kur nisi procesi i ri-regjistrimit të veturave nga targa KM të Serbisë që Kosova i cilëson ilegale, në targa RKS të Kosovës. Procesi i ri-regjistrimit të veturave, shkaktoi tensione në veri, ku me 31 korrik të vitit të shkuar, serbët ngritën barrikada në rrugë për disa javë.
Në nëntor serbët po ashtu në shenjë revolte u larguan nga institucionet e Kosovës në veri, pas suspendimit të drejtorit të Policisë për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrim me targa RKS. E pak më vonë, Kosova dhe Serbia, me insistimin e bashkësisë ndërkombëtare, arritën një marrëveshje për targat, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. E pikërisht për këtë, Kosova dhe Serbia me 27 shkurt, u pajtuan me një propozim të BE-së që më pas pasoi edhe me një dakordim të një aneksi për zbatimin e marrëveshjes me 18 mars në Ohër.
Propozimi evropian, apo siç njihej më herët ‘plani franko-gjerman’ për të cilin Kosova dhe Serbia janë pajtuar më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa me 18 mars në Ohër për zbatimin e tij, parasheh njohje të dokumenteve dhe simboleve, respektim të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të njëra tjetrës, që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh po ashtu edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.