Vetingu në arsimin e lartë është urgjencë kombëtare në RMV, FNA me plan se si mund të realizohet (Video)

Nevoja për veting të tërësishëm të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut është urgjencë kombëtare, pasi arsimi i lartë në vend në dhjetë vitet e fundit karakterizohet me cilësi të ulët, jotransparencë dhe afera korruptive. Kështu kanë reaguar sot nga Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) të cilët dorëzuan edhe propozim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASh), raporton Portalb.mk.

Blendi Hodai, drejtor i FNA theksoi se kanë plan konkret se si mund dhe se si duhet të bëhet kjo.

Propozimi i FNA-së fokusohet në tre fusha, edhe atë:

  1. Personat me pozita udhëheqëse brenda universiteteve si rektorët, prorektorët, dekanët dhe prodekanët t’i nënshtrohen procesit të vetingut. Inspektorati i Arsimit dhe Enti Shtetëror i Revizionit të kryejë inspektime të jashtëzakonshme çdo fillim të vitit akademik për të verifikuar parregullsitë potenciale gjatë punës së tyre si dhe mënyrës së menaxhimit të financave.
  2. Të hetohen të gjitha vendimet për akreditim të programeve të dyshimta nga ana e Bordit për Akreditim në Arsimin e Lartë. Anëtarët e këtij institucioni duhet t’i nënshtrohen vetingut i cili do të vlerësojë etikën profesionale të tyre si dhe konfliktet potenciale të interesit.
  3. Të ri-shqyrtohen titujt akademik të profesorëve ndaj të cilëve ka indicie publike se mund të kenë marrë titullin në kundërshtim me Ligjin për Arsim të Lartë. Në këtë drejtim, të avancohen kriteret në thirrjet akademike dhe e gjithë kjo të bëhet nga një komision i pavarur kombëtar i cili do të jetë përgjegjës për verifikimin e plotë të avancimeve në thirrje akademike të të gjithë profesorëve në 15 vitet e fundit.

“Me veting, sigurohet cilësia, besueshmëria dhe integriteti në arsimin e lartë. Kjo do të shërbejë si themel i mirëmbajtjes së reputacionit akademik dhe luftës kundër korrupsionit në Arsimin e Lartë”, tha Hodai.

Nga ky Forum thonë se edhe transparenca e universiteteve publike në RMV është joadekuate, nga ku edhe për këtë kanë propozuar disa masa si transmetim të drejtpërdrejtë (livestreaming) të mbledhjeve të Senatit të universiteteve dhe publikimi i të gjitha dokumenteve të rëndësishme në ueb-faqet e universiteteve.

“Forumi për Ndryshime në Arsim beson se këto masa do të kontribuojnë dukshëm në përpjekjet e vazhdueshme për të përmirësuar cilësinë në arsimin e lartë dhe për të inkurajuar një kulturë ekselence në institucionet tona akademike”, thanë nga FNA.

FNA këto propozime i dorëzoi edhe në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës.

Portalb.mk kërkoi qëndrimin e MASH-it për këtë propozim, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti përgjigje nuk morëm.