Bytyqi: Do të propozojmë ligj për korrigjimin e pagave të funksionarëve

Zëvendëskryeministri për çështjet ekonomike, Fatmir Bytyqi, mbrëmë në emisionin “24 Analiza” në Tv 24 ka bërë të ditur se në seancën e sotme të qeverisë do të propozohet korrigjimi në Ligjin për pagat e zyrtarëve, me të cilin një pjesë e mjeteve do të ridestinohen për masa kundër krizës për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.

Ky vendim, siç tha Bytyqi, vjen pas vendimit të javës së kaluar të Qeverisë për të ngarkuar katër ministra me masa të reja kundër krizës. Sipas zëvendëskryeministrit, ndryshimet e propozuara në Ligjin për pagat e të zgjedhurve dhe të emëruarve janë vendimtare në kohën kur duhet treguar solidaritet.

Ai po ashtu theksoi se me ripërdorimin e buxhetit do të ketë një paketë të re të masave kundër krizës prej rreth 70 milionë euro, e cila do të dedikohet për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve.

“Kanë mbetur edhe disa ditë deri në shpalljen e pakos së re të masave”, tha Bytyqi.

Krerët e shtetit, të Kuvendit dhe të Qeverisë nga maji marrin paga më të larta për rreth 70 mijë.

Pagat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të nënkryetarëve të Kuvendit janë rritur për rreth 60 mijë denarë, ndërsa të ministrave dhe deputetëve për rreth 56 mijë denarë.

Pagat e funskionarëve llogariten duke shumëzuar bazën me një koeficient të caktuar në varësi të pozicionit. Ligji për pagat e zyrtarëve parasheh që bazë të jetë paga mesatare e vitit paraprak, por për vite me radhë është ngrirë në nivel më të ulët. Më 21 mars, gjykata vendosi të heqë ngrirjen, pas së cilës pagat do të rriten ndjeshëm.

Paga më të larta nga funksionarët kanë presidenti i shtetit, Kuvendit dhe Qeverisë. Ligji parashikon që ata të marrin pagë në masën e pagës mesatare të vitit të kaluar shumëzuar me koeficientin 4.5. Paga mesatare bruto e paguar në vitin 2022 është rreth 47 mijë denarë. Kësaj i shtohet një rritje prej gjysmë për qind për çdo vit stazh pune.

Sipas këtij vendimi, presidenti Stevo Pendarovski, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe kryeministri Dimitar Kovaçevski për disa ditë do të kenë rritje të pagave prej rreth 70 mijë denarë. Deri më tani kanë marrë rreth 90 mijë, e tash e tutje rreth 160 mijë denarë.