Vetëm 26% e evropianëve mbështesin anëtarësimin e Maqedonisë në BE

Evropianët janë të hapur për pranimin e Ukrainës në BE, por janë skeptikë për pranimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, Gjeorgjisë dhe Turqisë, sipas një sondazhi të kryer në gjashtë vende anëtare të BE-së përpara samitit të BE-së të kësaj jave për të diskutuar zgjerimin, raporton britanikja The Guardian, transmeton Portalb.mk.

Evropianët janë përgjithësisht të hapur ndaj idesë së anëtarësimit të Ukrainës në BE, pavarësisht kostove dhe rreziqeve, por janë të vakët në rastin më të mirë për një zgjerim të mundshëm të bllokut me Gjeorgjinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor.

Komisioni Evropian muajin e kaluar rekomandoi fillimin e bisedimeve të pranimit me Ukrainën dhe Moldavinë, dhe 27 krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do ta diskutojnë këtë në një samit në Bruksel këtë javë – megjithëse kryeministri hungarez Viktor Orbán ka thënë vazhdimisht se ai kundërshton hapjen e negociatat me Kievin.

Një sondazh i gjashtë vendeve anëtare të BE-së i kryer me kërkesë të Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR) tregoi mbështetje të konsiderueshme për kandidaturat e Ukrainës dhe, në një masë më të vogël, të Moldavisë dhe Malit të Zi, por edhe shqetësime të thella ekonomike dhe të sigurisë.

Ka një kundërshtim të gjerë ndaj anëtarësimit të Turqisë në veçanti, si dhe një përgjigje veçanërisht të vakët ndaj perspektivës së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Kosovës për t’iu bashkuar Unionit.

Sondazhi tregoi se mbështetja për hyrjen e Ukrainës ishte më e larta në Danimarkë (50%) dhe Poloni (47%). Ekziston një mendim i ndarë në Rumani (32% pro, 29% kundër), në Gjermani (37% pro, 39% kundër) dhe në Francë (29% pro, 35% kundër). Mbështetja më e ulët për Ukrainën në BE është në Austri, ku 52 për qind e të anketuarve janë kundër saj.

Megjithatë, 45% e të anketuarve janë të shqetësuar se pranimi i Ukrainës do të ketë një ndikim negativ në sigurinë e BE-së, krahasuar me 25% që mendojnë se do ta përmirësojë atë.

Shumë evropianë nuk shohin asnjë përfitim ekonomik nga anëtarësimi i Ukrainës. Ndërsa 43% e të anketuarve në Poloni dhe 37% në Rumani prisnin ndikim pozitiv në ekonominë e BE-së, 54% në Danimarkë dhe 46% në Austri parashikuan se kjo do të sillte kosto ekonomike në rritje. Polonia me 43% dhe Danimarka me 35% janë më optimistë se pranimi i Ukrainës do të rrisë fuqinë politike të BE-së në botë, në ndryshim nga Austria (42%) dhe Gjermania (32%), të cilët besojnë se do të zvogëlojnë fuqinë politike të BE-së.

Ka një ndarje të qartë midis vendeve anëtare të “vjetra” dhe atyre “të reja” të BE-së  për sa i përket zgjerimit. Të anketuarit në Austri (53%), Gjermani (50%) dhe Francë (44%) thanë se BE-ja nuk duhet të pranojë anëtarë të rinj. Në të kundërt, në Rumani shumica (51%) dhe në Poloni (48%) besojnë se BE-ja duhet të zgjerohet.

Sondazhi tregoi gjithashtu kundërshtim të fortë ndaj mundësisë së anëtarësimit të Turqisë në BE. Mbi 50 për qind e të anketuarve në gjashtë vendet kundërshtojnë idenë e anëtarësimit të Ankarasë.

Edhe evropianët tregojnë një qëndrim të ftohtë ndaj pritjes së Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnje-Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Kosovës. Mbështetja për anëtarësimin e tyre në BE është më pak se 30%.

Më e ulëta është për Kosovën (20% janë pro dhe 37% kundër), Shqipërinë (24% pro, 35% kundër), Serbinë (25% pro, 35% kundër) dhe Gjeorgjinë (25% pro, 31% kundër) .

Opinioni është më i ndarë për Maqedoninë e Veriut (26% pro, 27% kundër), për Bosnjë dhe Hercegovinën (28% pro, 29% kundër), për Moldavinë (30% pro, 28% kundër) dhe për Malin e Zi (30% për dhe 25% kundër) anëtarësimit në BE.

Piotr Buras, një bashkëpunëtor i lartë i politikave në ECFR, tha për The Guardian se ndërsa samiti i kësaj jave do të fokusohet në zgjerimin me Ukrainën dhe vendet e tjera kandidate, debati se si saktësisht të arrihet kjo “mezi ka filluar”. Ai beson se duhet të vendoset një “kornizë kohore konkrete” për pranimin.

“Retorika gjeopolitike nga Brukseli maskon shqetësimet e thella në vendet anëtare për pasojat e mundshme të zgjerimit dhe skepticizmin e përhapur në lidhje me aftësinë e BE-së për të thithur anëtarë të rinj”, tha Buras.

Sipas tij, afati kohor do të sigurojë hapësirë ​​për reformat e brendshme të BE-së, do të ndërtojë qëndrueshmëri dhe do t’i tregojë publikut pse zgjerimi është thelbësor. Engjëllushe Morina, një tjetër bashkëpunëtore e lartë e EFFR-së, nga ana tjetër, vlerëson se samiti mund të jetë “më i rëndësishmi në historinë e re të BE-së”.

Kujtojmë se më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.