A do t’i thotë Tirana lamtumirë Shkupit në rrugën që çon drejt BE-së?

Shqipëria pritet që sot të marrë lajme pozitive në këshillin ministror në Bruksel – A do t’i thotë Tirana lamtumirë Shkupit, në rrugën drejt BE-së? Zyrtarë të lartë të Unionit, gjatë një brifingu me gazetarët, pohojnë se deri në momentin e fundit po bëhen përpjekje që paketa Maqedoni-Shqipëri të mos ndahet, edhe pse për momentin duket sikur guri i Sizifit po rrokulliset, raporton Portalb.mk.

Përfaqësuesit evropianë përmbledhin se dëshira e Unionit, por edhe e Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, është që Tirana dhe Shkupi të ecin së bashku në rrugën evropiane. Ata nuk dhanë përgjigje të saktë në pyetjen – kur do të mbahet Konferenca e Dytë Ndërqeveritare dhe a do të ndahen sot dy vendet, për faktin se Maqedonia nuk ka paraqitur amendamente kushtetuese? Thanë vetëm se Shqipëria është një histori suksesi dhe detajet do të bëhen të ditura nga Presidenca spanjolle sot.

“Se cili është qëndrimi ynë për ndarjen. Nga ana e presidentit të BE-së, ne do të dëshironim që të dyja, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të lëvizin përgjatë rrugës hyrëse. Për sa i përket kohës së saktë se kur do të mbajmë konferencën e dytë ndërqeveritare, do të linim pak kohë për presidencën spanjolle. Ne do të jemi të lumtur të ndajmë konkluzionrz për këtë çështje të veçantë pas Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme nesër”, njoftuan dje përfaqësues të BE-së në një brifing me gazetar.

Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme mbahet vetëm një ditë para samitit BE-Ballkani Perëndimor. Sipas të njëjtave burime, të mërkurën pritet një deklaratë e përbashkët dhe gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët i quajtën aleatë, do të ftohen të respektojnë politikën e jashtme të përbashkët të Bashkimit. Të enjten dhe të premten, megjithatë, gjatë Këshillit Evropian pritet një debat intensiv për zgjerimin, por edhe për reformat e brendshme të BE-së.

Kjo javë është mjaft dinamike në Bruksel. Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të BE-së (KÇP) do të takohet në Bruksel sot, më 12 dhjetor. Takimi do të fokusohet kryesisht në përgatitjet për Këshillin Evropian të dhjetorit. KÇP do të miratojë gjithashtu konkluzione mbi vlerësimin e dialogut vjetor të BE-së për sundimin e ligjit, zgjerimin dhe menaxhimin e ndryshimeve demografike në Evropë. Nesër, më 13 dhjetor do të zhvillohet Samiti i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Ndërsa më 14 dhe 15 dhjetor ministrat do të përgatiten për takimin e Këshillit Evropian.

Pikat në agjendën e Këshillit Evropian më 14-15 dhjetor përfshijnë:

  • Ndër të tjera Këshilli Evropian do të trajtojë luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës në të gjitha dimensionet e saj dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit për Ukrainën dhe popullin e saj.
  • Këshilli Evropian do t’i rikthehet situatës në Lindjen e Mesme.
  • Këshilli Evropian do të ftohet të trajtojë procesin e zgjerimit, stabilizimit dhe asocimit dhe hapat e mëtejshëm që do të ndërmerren në këtë drejtim.
  • Pas diskutimit në Këshillin Evropian në tetor, Këshilli Evropian do të ndjekë rishikimin e propozuar të Kornizës Financiare Shumëvjeçare 2021-2027 me objektivin e arritjes së një marrëveshjeje.
  • Këshilli Evropian do të vlerësojë progresin në zbatimin e konkluzioneve të tij të mëparshme për sigurinë dhe mbrojtjen dhe do të japë udhëzime shtesë.
  • Në dritën e ngjarjeve, Këshilli Evropian do të trajtojë çështje specifike të politikës së jashtme.

Negociatat për rishikimin afatmesëm të kuadrit financiar shumëvjeçar të BE-së janë tani në fazën e tyre përfundimtare dhe qëllimi është arritja e një marrëveshjeje mbi paketën në Këshillin Evropian të dhjetorit.  Këshilli Evropian do të marrë vendimin e tij për rishikimin afatmesëm të kuadrit financiar në mënyrë unanime.

Përveç tjerash, ministrat do të bëjnë një bilanc të negociatave për marrëveshjen e asociimit me Andorrën dhe San Marinon.

Këshilli do të diskutojë gjithashtu një kërkesë të Spanjës për të ndryshuar Rregulloren e gjuhëve, duke përfshirë katalanishten, baskishten dhe galishten në regjimin gjuhësor të BE-së.

Presidenca spanjolle dhe ajo e ardhshme belge do të paraqesin udhërrëfyesin për Semestrin Evropian 2024.

Presidenca do të përditësojë gjithashtu ministrat për vazhdimin e Konferencës për të Ardhmen e Evropës dhe do të paraqesë një raport progresi mbi punën e kryer nën presidencën spanjolle për të ardhmen e Evropës.

Nga ana tjetër, në fund të samitit midis BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor do të duhet të miratohet draft-deklaratë deri te e cila ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë. Madje, në draft-deklaratën thuhet se harmonizimi me politikat e BE-së është shenjë e qartë për orientimin strategjik të partnerëve, tani më shumë se kurdoherë, në kontekst të luftës agresive ruse kundër Ukrainës dhe sfidat e tjera të sigurisë.

“Vizioni i përbashkët për ardhshëm përfshin vlera të përbashkëta dhe përgjegjësi të përbashkët. Derisa e thellojmë bashkëpunimin tonë me partnerët, ju bëjmë thirrje që të bëjnë progres të shpejtë dhe të qëndrueshlm ndaj harmonizimit të plotë me politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, duke përfshirë edhe masat restriktive të BE-së, si dhe të veprojnë në pajtueshmëri me të”, thuhet në draft-deklaratën.