VENDI I KRISTALEVE (I)

KONTEKSTI LOKAL. Milan Kundera shkroi se distanca gjeografike e largon vëzhguesin nga konteksti lokal dhe e lejon të përqafojë një kontekst më të gjerë të letërsisë botërore. Ky mendim vlen edhe në raport me aktualitetin dhe zhvillimet historike. 

Prej një distance gjeografike e shohim qartë shoqërinë ku jetojmë, aktualitetin që na zë frymën dhe zhvillimet historike që i komentojmë shpesh me krenari të tepruar lokale, e cila na mjegullon shikimin e mendimin, aq sa besojmë se jemi më të mirët dhe më të zgjuarit. Me këtë ndjenjë krenarie të tepruar, flasin siç kemi qenë, e himnizojmë të kaluarën, sepse nuk duam ta shohim dhe ta pranojmë të tashmen. Duke e shikuar jetën nga konteksti lokal, fillojmë të besojmë se jemi qendra e botës, ndonëse jemi në margjinat e saj…

Kur udhëton dhe sheh vende të reja, përfiton nga përvojat, kulturat e mënyrat e ndryshme të jetesës. Takohesh me njerëz etnish të ndryshme. E sheh shumëllojshmërinë si pasuri. Udhëtimi na rrit vetëbesimin. Na pasuron jetën shpirtërore. Na mundëson ta njohim më mirë veten dhe shoqërinë tonë. 

PESHA E ATDHEUT. Sa herë gjendem në vend të huaj, më duket se historia është tallur me ne; se jetojmë në vend të harruar, të humbur ose të vonuar në kohë. 

Kështu më ndodhi, teksa shëtisja rrugëve me gjurmë shekujsh të Innsbruck-ut. I prekur nga përçartja, atdheu më dukej i mjerë. Aq i mjerë sa doja ta harroja aq sa ishte e mundur. Ai më rëndonte si barrë e rëndë. Jo në supe, por në shpirt. Ngjashëm siç e ka përshkruar Faik Konica në sprovën “Malli i atdheut”. 

“Kur vete njeriu, i lirë e i vetëm, larg atdheut – viset e reja, ndryshimi i zakoneve, ëmbëlsia e udhëtimit e një mijë gjëra që vihen re ndër popuj të huaj, të gjitha këto ta përgëzojnë zemrën e të bëjnë jo të harrosh Shqipërinë, po të mos të vejë tek ajo aq dendur mendja”. 

Pas përçarjes vjen kthjellimi. E kupton që i përket një bote tjetër: më të zymtë, më të errët, të cilët s’mund ta harrosh assesi, por ke dëshirë që të jetë ndryshe nga çfarë është në të vërtetë. 

“Më tutje, si ngopen sytë së pari ndryshime, gazi shuhet pak nga pak. S’di ç’të mungon, s’di se ç’të duhet. Një hije trishtimi ta mbulon fytyrën; e, pikë së pari herë-herë, mbastaj më dendur e më në fund shpesh e pothuaj kurdo e kudo, kujtimi i prindërve, i miqve e shokëve, kujtimi i dheut ku u lindëm e u rritëm, ku qajtëm foshnja e ku lozëm djelm, kujtimi i atyre maleve larg të cilëve nuk rron dot mirë një shqiptar, kujtimi i kombit, që, me gjithë ca të liga që ka, është kombi ynë, e më tepër kujtimi e dëshira e etja e gjuhës sonë ta shtrëngojnë e ta dërrmojnë me të vërtetë zemrën. Ah, malli i Shqipërisë, malli i atdheut të dashur, i shenjtë mall e dashuri e shenjtë, kush është ai shqiptar që s’e ka pasur në dhe të huaj! Duhet të jesh jashtë Shqipërisë, e të jesh larg, për të kuptuar se ç’forcë e ç’bukuri të ëmbël ka për veshët kjo fjalë: Shqipëri! Ajo më e zbrazura letër, ajo fjala më e vogël, na sjell, kur vjen nga Shqipëria, një gaz të parrëfyeshëm, se na sjell si një copë të atdheut”. 

Këtë ndjenjë për vendin e lindjes e kam vërejtur te shumë të rinj e të reja shqiptare që jetojnë e studiojnë në shtete europiane. Ata, ndonëse të rritur jashtë atdheut, ndihen krenarë me identitetin e tyre, janë të gatshëm që kudo t’i afirmojnë vlerat tona, njëkohësisht janë imazh i bukur për sytë e botës. 

Kur e sheh këtë dashuri për kombin te këta të rinj të zotë, të sinqertë, mendjehapur, të paprekur nga veset ballkanike, që atdheun duan ta shohin si gjithë Europa, të vjen keq që s’kemi strategji për ta përthithur këtë energji kulture, përvoje dhe emancipimi e për ta vënë në shërbim të vendeve tona.

MENDIMTARËT QË S’I DONTE SHTETI. Në Innsbruck, ku ka një komunitet të vogël shqiptar, studiuan për filozofi e teologji emra të çmuar të kulturës shqiptare, që u persekutuan nga regjimi komunist, si: Vinçens Prennushi, Dom Shtjefën Kurti, Ndre Zadeja, Lazër Shantoja, Bernardin Palaj… Ata mund të jetonin në këtë qytet dhe të kënaqeshin me gjithçka që u ofronte kjo qendër kulturore, por ishte malli, siç e ka përshkruar Konica, që i shtyri të ktheheshin e të punonin për emancipimin kulturor të atdheut, i cili nuk i deshi. Sepse ata që e drejtonin shtetin jetonin brenda një konteksti lokal dhe nuk donin ta përqafonin një kontekst më të gjerë.

Vazhdon…