Vëllai i Teodorës së humbur kërkon ndihmë për gjetjen e saj: Institucionet nuk veprojnë pothuajse fare

Vëllai i gjashtëmbëdhjetëvjeçares Teodora Babarçiq, e cila u zhduk në ujërat e lumit Vardar javën e kaluar, ka bërë thirrje për ndihmë në kërkimin e vajzës në rrjetet sociale dhe akuzon se nga institucionet nuk ka pothuajse fare ndihmë, transmeton Portalb.mk.

“U bëj thirrje të gjithë atyre që janë në gjendje të bashkohen në terren dhe të ndihmojnë së bashku në kërkimin e Teodorës. Nuk nevojitet asgjë më shumë sesa vullneti i mirë dhe dëshira për të ndihmuar. Babai im është tashmë atje, pranë fshatit Ulanc, Gradsko, dhe po koordinon kërkimin sepse, për fat të keq, pothuajse nuk ka ndihmë nga institucionet”, njoftoi vëllai i Teodorës.

Ai shton se patrullat e policisë mbërrijnë në vendngjarje dhe largohen.

Ai u kërkon qytetarëve t’i shkruajnë në rrjetet sociale dhe publikoi numrin e babait të tij për t’u koordinuar me të, dhe shtoi se nëse dikush nuk ka transport, ai thotë se do t’i sigurohet.

Vajza është parë për herë të fundit më 23 korrik javën e kaluar dhe po kërkohet ndihmë në kërkim – si në terren ashtu edhe me xhirime me dron përgjatë Vardarit drejt Gjevgjelisë.

Nëna e vajzës, Verica Babarçi1 Lazova, kërkoi gjithashtu ndihmë për gjetjen e vajzës së saj disa ditë më parë.

Sipas informacioneve nga Ministria e Brendshme, rasti është raportuar në SPB Veles dhe sipas raportit, vajza ka hyrë në lumin Vardar për t’u larë, por lumi e ka tërhequr, dhe vajza njëzet e nëntë vjeçare që po lahej me të nuk ka arritur ta nxjerrë jashtë.