Vebi Qerimi fitoi Çmimin për Vepër Jetësore në edicionin jubilar të FNT “Vojdan Çernodrinski”
Aktori, regjisori dhe pedagogu i mirënjohur Vebi Qerimi është nderuar me Çmimin për Vepër Jetësore në edicionin jubilar të 60-të të Festivalit të Teatrit “Vojdan Çernodrinski”. Ky çmim vjen si vlerësim për veprimtarinë e tij të gjatë dhe të pasur artistike, si dhe për kontributin e jashtëzakonshëm në zhvillimin e teatrit shqiptar në vend. Qerimi është nominuar nga Teatri Shqiptar Shkup, Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj dhe Teatri i Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Vebi Qerimi konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të skenës teatrore shqiptare. Gjatë karrierës së tij, Qerimi ka realizuar mbi njëqind role skenike, duke interpretuar në vepra të autorëve të njohur botërorë dhe shqiptarë, si Albert Camus, Luigi Pirandello, William Shakespeare, Ismail Kadare, Edward Albee, Molière, David Mamet dhe të tjerë.
Ndër rolet e tij më të njohura përmenden Kaligula në “Kaligula”, Henri në “Henri IV”, Laerti në “Hamleti”, si dhe role në shfaqjet “Mbreti Lir”, “Doruntina”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Balkan Balkon” dhe “Dashuria e kapitenit”.
Përveç aktrimit, Qerimi ka dhënë kontribut edhe në regji. Në Teatrin Shqiptar Shkup ka vënë në skenë shfaqjen “Njeriu që e pa vdekjen me sy” të Victor Eftimiut, ndërsa në Teatrin e Kumanovës ka realizuar shfaqjen “Rrënjët” të Nazmi Beqirit. Si projekte të pavarura ka inskenuar edhe disa shfaqje të tjera, ndër të cilat “Eva socialiste”, “Ndihma e shpejtë”, “Halla e Karlit”, “Policët” dhe “Volpone”.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij lidhet edhe me pedagogjinë teatrore ndërkaq Qerimi ka qenë i pranishëm edhe në film dhe televizion, me role në realizime si “Ilinden”, “Premiera”, “Pluhur” i Milço Mançevskit, “Pranverë e vonuar në një fshat të harruar”, “Ndoshta”, si dhe në projektet “Lagjja jonë”, “Evledija Rumelija” dhe “Përralla popullore shqiptare”.
Krijimtaria e tij është vlerësuar lart nga kritika teatrore, ndërsa për punën e tij kanë shkruar emra të njohur të kulturës dhe kritikës, si Naxhi Ndoci, Musa Ramadani, Liljana Mazova, Ivan Ivanov, Petar Bagevski dhe të tjerë.
Për veprimtarinë e tij artistike, Vebi Qerimi është nderuar edhe më parë me Pllaketën e Artë të Teatrit Shqiptar Shkup, me çmimin për karrierë në festivalin “EtnoFest” në Kosovë, si dhe me çmimin e publikut në festivalin “KuFest” në Kumanovë, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e Festivalit Teatror Maqedonas.