Vazhduan protestat antiqeveritare në Shqipëri

Partia Demokratike (PD), partia më e madhe opozitare në Shqipëri, ka zhvilluar dje një tjetër protestë antiqeveritare, raporton Portalb.mk.

Protesta e quajtur “Foltore”, e organizuar nga PD dhe e mbështetur nga parti të tjera opozitare, u mbajt para Kryeministrisë.

Gjatë protestës, deputeti i PD-së, Belind Këlliçi, deklaroi se protestat janë akt dinjiteti dhe përgjegjësi ndaj së ardhmes së fëmijëve. Ai tha se opozita i ka rezistuar përpjekjeve për ta dobësuar dhe se tashmë është forcuar si alternativë qeverisëse.

Për mbarëvajtjen e protestës u angazhuan forca shtesë policore dhe u bllokuan disa akse rrugore. Nuk u raportuan incidente apo tensione.

Në muajt e fundit, PD dhe partitë e tjera opozitare kanë organizuar disa protesta, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Opozita kërkon largimin e Ballukut nga Kuvendi, pasi ajo është e akuzuar për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë publikë.

Opozita ka paralajmërruar se protestat do të vazhdojnë edhe në javët në vijim.