Vazhdimit të bulevardit “Industrial” në Tetovë nuk i shihet fundi, Kasami: Së shpejti do vazhdojnë dhe përfundojnë punimet

Ishte data 16 korrik 2023 kur kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami njoftoi për fillimin e punimeve për vazhdimin e bulevardit “V. S. Bato” (Industrial) nga pjesa nën Kazermën e qytetit deri në fshatin Poroj. Që atëherë kanë kaluar afërsisht tre muaj, ndërkaq në terren shihet vetëm gërryerje dhe rrafshim i tokës në pjesën e parë aty ku edhe filluan punimet, shkruan Portalb.mk.

Gjatë muajit gusht, nga Komuna e Tetovës për TV21 njoftuan se punimet do të intensifikoheshin në shtator dhe se vonesat ishin për shkak të procedurave pronësore juridike. Megjithatë edhe gjatë muajit shtator nuk pati intensifikim të punimeve.

Punimet për vazhdimin e bulevardit V.S. Bato (Industrial) në Tetovë. Foto: Portalb.mk (6.10.2023)
Punimet për vazhdimin e bulevardit V.S. Bato (Industrial) në Tetovë. Foto: Portalb.mk (6.10.2023)

I pyetur për këtë, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se çështja e eksproprijimit (shpronësimit) është përmbyllur, megjithatë ai theksoi se ka situata ku në disa prona nuk dihet se kush është pronari dhe këto e vonojnë procedurën. Ai nuk përmendi afat konkret se kur pritet të përfundojë i gjithë ky proces.

“Duke pasur parasysh faktin se mund të ketë ndonjë situatë e cila nuk është e pacaktuar, e definuar sepse kemi plotë raste kur pronat nuk janë saktë, domethënë pronari nuk dihet apo nuk janë edhe të regjistruara dhe procedura zgjat duhet të shkohet përmes avokatit të cilën e cakton dhoma e avokatëve të RMV-së. Kështu që mund të jenë probleme edhe të kësaj natyre, por unë garantoj që edhe këto procedura administrative do të mbyllen dhe shpejtë do të vazhdojnë punimet edhe në atë bulevard dhe realizimi i të njëjtit do të përmbyllet në afat sa më të shkurtër”, tha Bilall Kasami.

Nga ana tjetër, qytetarët kërkojnë që ky bulevard të hapet sa më shpejtë deri në fshatin Poroj. Sipas tyre do të zvogëlohet trafiku në rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë, por edhe qasje më e lehtë në qytet kur në dispozicion do të jenë dy rrugë.

“Është një nga rrugët më të rëndësishme që duhet të përfundohet sa më shpejtë sepse do na kursejë kohë, në rrugën aktuale, sidomos në lagjen Drenovec krijohet shumë trafik ndërsa sipas mendimit tim kjo rrugë do të zgjidh këtë problem, sepse për shembull nëse unë nuk kam punë përgjatë lagjes Drenovec pse të kaloj kot dhe të bëj guzhbë në vend se të dal nga rruga poshtë”, tha një banor i një fshati nga rrethina e Tetovës.

“Këto i nisin punët edhe i çojnë zhag (zvarrë) me muaj, e vite. Unë mendoj se kjo rrugë nuk është edhe aq problem për tu bërë sepse traseja është e hapur, mund të ketë ndonjë problem me tokat por prapë mendoj se nëse ata duan do e zgjidhin. Apeloj që t’i shpejtojnë punimet”, tha një tjetër qytetar.

Punimet për vazhdimin e bulevardit V.S. Bato (Industrial) në Tetovë. Foto: Portalb.mk (6.10.2023)
Punimet për vazhdimin e bulevardit V.S. Bato (Industrial) në Tetovë. Foto: Portalb.mk (6.10.2023)

Vazhdimin e bulevardit “Industrial”, Kasami e paralajmëroi edhe në nëntor të vitit 2022. Ndërkaq, hapja e bulevardit “Industrial” së bashku me dy bulevardet tjera, “Ilinden” dhe “Bllagoja Toska” është edhe pjesë e Programit Zgjedhor 2021-2025 për Tetovën të kryetarit aktual të Komunës së Tetovës.