Valë e të nxehtit dhe temperatura ekstreme, RMV-në e pret edhe një verë e gjatë me thatësira
Qershori këtë vit u karakterizua me temperatura ekstreme me dy valë të të nxehtit në fillim dhe në fund të muajit. Një valë të tretë të të nxehtit kishte që në fillim të korrikut. Sipas matjeve dhe monitorimeve nga stacionet meteorologjike të Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike, muaji i kaluar u kategorizua si jashtëzakonisht i nxehtë në të gjithë vendin dhe një muaj shumë i thatë me përjashtim të rajoneve jugperëndimore dhe lindore ku reshjet ishin rreth vlerave mesatare, transmeton Portalb.mk.
Temperatura më e lartë ditore në qershor të këtij viti u mat në Vallandovë – 42,4 ºC dhe është ndër temperaturat më të larta të ajrit të matura gjatë këtij muaji në katër vitet e fundit. Vallandova ishte gjithashtu qyteti më i nxehtë në vend edhe në qershor të vitit të kaluar me një temperaturë maksimale prej 41,9 ºC. Në vitin 2023 dita më e nxehtë në qershor ishte në Gradsko me 35,7 ºC, në vitin 2022 përsëri në Vallandovë me 38,7 ºC, ndërsa në vitin 2021 temperatura më e lartë për qershorin në katër vitet e fundit u regjistrua në Gjevgjeli me 42,5 ºC.
Këtë qershor kishte njoftime se na pret një tjetër verë e nxehtë dhe e thatë, që do të thotë se ndryshimet klimatike po marrin hak për neglizhencën tonë ndaj planetit dhe natyrës. Kontinenti evropian në vitin 2024 e përjetoi verën e tij më të ngrohtë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa periudha nga muaji qershor deri në muajin gusht ishte më e ngrohta ndonjëherë në rrafsh global, me temperatura 0,7 ºC mbi mesataren nga viti 1991 deri në vitin 2020.
Ngjashëm është edhe në vendin tone. Qershori i vitit të kaluar ishte muaji më i ngrohtë i regjistruar ndonjëherë, ndërsa vera e vitit 2024 më e ngrohta ndonjëherë. Analizat e DPH për këtë vit tregojnë se kjo verë ka të ngjarë të jetë dukshëm më e ngrohtë dhe më e thatë se vlerat mesatare afatgjata. Temperaturat mund të arrijnë edhe deri në 3°C pothuajse në të gjithë territorin, ndërsa temperaturat më të larta dhe reshjet më të ulëta priten këtë muaj.
“Sipas hulumtimeve të Departamentit të Meteorologjisë të DPH-së edhe në vendin tonë në 20 vitet e fundit temperaturat mesatare kanë qenë vazhdimisht më të larta se mesatarja shumëvjeçare. Analiza e periudhës së fundit tridhjetëvjeçare tregon se temperatura mesatare vjetore është më e lartë në të gjithë territorin, dhe atë nga 0,7 °C deri në 1,4 °C. Rajoni më i ngrohtë është ai juglindor. Temperaturat maksimale ekstreme në pothuajse të gjithë territorin u matën gjatë valës së të nxehtit në muajin korrik të vitit 2007, kur në Demir Kapi u mat temperaturë rekord prej 45,7 °C, që është temperatura maksimale më e lartë e matur që nga fillimi i matjeve meteorologjike. Sa i përket këtij viti, dekada e parë e qershorit sinjalizoi për ditë jashtëzakonisht të nxehta me të cilat do të duhet të përballemi këtë verë. Një valë e të nxehtit u regjistrua si në fillim të qershorit ashtu edhe në fund të muajit”, tha Aleksandra Stevkov, udhëheqëse e Departamentit të Klimatologjisë dhe Ndryshimeve Klimatike në Drejtorinë e Punëve Hidrometeorologjike.
Edhe skenarët klimatikë për vitet dhe dekadat e ardhshme nuk janë optimistik, si në nivel global ashtu edhe për vendin tonë. Ndikimet e ndryshimeve klimatike do të kontribuojnë në rritje të mëtejshme të temperaturave dhe rreziqe edhe më të mëdha nga thatësirat dhe ndryshimet klimatike në përgjithësi.
Nga DPH thonë se Maqedonia do të përballet me një klimë më të ngrohtë dhe më të thatë në të ardhmen, ndërsa amplituda e ndryshimit do të lidhet kryesisht me përqendrimet e ardhshme të gazrave serrë. Kjo do të jetë veçanërisht evidente në periudhën e verës, kur rritja e temperaturës maksimale ditore deri në fund të shekullit pritet të jetë mbi 5°C për të gjithë vendin. Numri i valëve të të nxehtit pritet të rritet, si edhe kohëzgjatja e tyre. Thatësirat gjithashtu do të përkeqësohen dhe intensifikohen, ndërsa numri i ditëve të njëpasnjëshme pa reshje do të rritet, madje deri në 20 ditë edhe në rastet e skenarit më të favorshëm të ndryshimeve klimatike.
“Rritja e temperaturës së ajrit pritet të vazhdojë dhe amplituda e rritjes në fund të këtij shekulli do të varet kryesisht nga emetimet e ardhshme të gazrave serrë. Në të ardhmen e afërt, deri në vitin 2035, rritja e pritur e temperaturës së ajrit është rreth një gradë dhe deri në fund të shekullit, rritja e temperaturës mesatare vjetore në skenarin e ulët do të jetë 1,5°C, ndërsa sipas skenarit të mesëm dhe të lartë do të jetë 2,5°C, ose 5°C”, theksuan nga DPH.
Përndryshe, për shkak të temperaturave të larta me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë, Qeveria e RMV-së miratoi disa rekomandime: Përjashtim nga detyrimet e punës për gratë shtatzëna dhe personat mbi 60 vjeç. Ky rekomandim nuk vlen për punonjësit në infrastrukturën kritike (shëndetësi, polici, ushtri, transport, energji, kompani publike); shtyrje e procesit të punës gjatë orarit kritik (11:00–17:00) për punonjësit e ekspozuar ndaj nxehtësisë direkte; punë në distancë, orar pune fleksibël ose i dyfishtë, aty ku është e realizueshme; punëdhënësit të sigurojnë kushte pune mikroklimatike në përputhje me planin e veprimit: dhoma me temperaturë deri në 25°C, përveç rasteve kur natyra e procesit të punës kërkon ndryshe.