Valë e të nxehtit deri të shtunën me temperatura deri në 42 gradë në RMV, rekomandohet për kujdes të shtuar
Moti sot do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë. Do të fryjë erë e dobët deri mesatare, dhe në pjesët perëndimore herë pas here e fortë nga jugperëndimi. Temperatura minimale do të jetë në intervalin prej 13 deri në 21 gradë, ndërsa maksimale do të arrijë 35 deri në 42 gradë, transmeton Portalb.mk.
Në Shkup, moti do të jetë me diell dhe shumë i ngrohtë me erë të dobët deri mesatare nga jugperëndimi.
Temperatura të larta priten në ditët në vijim.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike njoftoi se vendi do të jetë nën ndikimin e një vale të nxehti deri të shtunën (26.07). Temperatura ditore kudo do të jetë mbi mesataren për muajin korrik.
Ministria e Shëndetësisë ka dhënë disa rekomandime për mbrojtjen e popullsisë nga temperaturat e larta, duke përfshirë qëndrimin në dhoma të mbyllura dhe të ftohta, veçanërisht në periudhën nga ora 11:00 deri në orën 17:00, pirjen e mjaftueshme të lëngjeve, shmangien e alkoolit dhe pijeve të ëmbla, veshjen e rrobave të lehta me ngjyra të çelëta dhe përdorimin e mbrojtjes së kokës dhe syve.
Gjithashtu rekomandohet të shmangni aktivitetin fizik gjatë orëve më të nxehta të ditës, t’u kushtoni vëmendje fëmijëve, të moshuarve, personave me sëmundje kronike dhe grave shtatzëna, të shtyni aktivitetet në natyrë gjatë pjesës më të nxehtë të ditës dhe të siguroni kushte mikroklimatike (dhoma të ftohta me temperaturë deri në 25 gradë Celsius) në vendin e punës dhe në shtëpi. Në rast të simptomave të tilla si marramendje, dhimbje koke, të përziera ose puls të shpejtë, kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore.
Sipas parashikimit më të fundit nga Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM), në periudhën prej 20 deri më 24 korrik 2025 në Maqedoninë e Veriut pritet rritje e ndjeshme e temperaturave ditore, të cilat në disa rajone mund të arrijnë deri në 41°C.
Kujtojmë se vala e të nxehtit ka kapluar gjithë Evropën. Paralajmërime për nxehtësi ekstreme janë në fuqi në pjesë të Portugalisë, Spanjës, Italisë dhe Kroacisë, ndërsa Franca, Austria, Belgjika, Bosnja dhe Hercegovina, Hungaria, Maqedonia, Serbia, Sllovenia dhe Zvicra po përballen gjithashtu me temperatura jashtëzakonisht të larta.