Vonesat në përgatitjen e dokumentacionit nga Komuna e Likovës i zvarrisin dëmshpërblimet për bujqit

Ka kaluar mbi një vit dhe bujqit e Komunës së Likovës ende nuk i kanë marrë dëmshpërblimet nga dëmet e shkaktuara nga reshjet e vitit të kaluar, shkruan Portalb.mk.

Bujqit ankohen se pavarësisht dëmeve të mëdha nga breshëri dhe dorëzimit me kohë të të gjitha dokumenteve, ende nuk kanë marrë asnjë ndihmë financiare.

Ata thonë se kanë vazhduar me punë, por janë përballur me vështirësi në sigurimin e barnave bujqësore.

Bastri Rexhepi, anëtar i Komisionit për fatkeqësi natyrore në Komunën e Likovës për Portalb.mk thotë se vlerësimi i dëmeve nga breshëri është bërë dhe miratuar, por dokumentacioni është kthyer nga Ministria e Bujqësisë për plotësime dhe rishikim, gjë që ka shkaktuar vonesa, dhe pritet që më 23 korrik të dorëzohet sërish dhe të nisë vlerësimi përfundimtar nga Komisioni Qeveritar.

“Fillimisht, ne si Komisioni për vlerësimin e dëmeve i Komunës së Likovës, kemi dalë në terren dhe kemi dhënë vlerësimin e dëmeve që kanë pasur nga breshëri. ky vendim ka kaluar edhe në Këshillin Komunal që ka pasur dëme, mirëpo elaboratin që e ka bë komuna e ka përfshirë vetëm me një formular, realisht është dashur të bëhet në tre ndarje të formularëve, dhe është dorëzuar në Ministrinë e Bujqësisë, por kjo ministri e ka kthyer negativë për arsye se nuk janë qartësuar si duhet formularët, pastaj këtu ka pasur vonesë për shkak se duhet të shihen dëmet e kulturave të ndryshme që ka pasur dëme dhe secila kulturë bujqësore të ketë vlerësim dhe që varet prej produktit, dhe prapë është dashur edhe njëherë të kaloj në këshill për shkak të vonesës, dhe kjo ka kaluar para dy jave në seancë, dhe pritet ditën e mërkurë (23.07.2025) të dorëzohet në Ministrinë e Bujqësisë, dhe pastaj të presim që vlerësimi të bëhet nga Komisioni Qeveritar për kompensimin e dëmeve në bujqësi, “ tha Rexhepi.

Ndryshe me 12 qershor, Komuna e Likovës theksoi se Qeveria ende nuk ka lëshuar fonde për këtë çështje.

Paraprakisht Fatmir Sabriu nga Komisioni Qeveritar për kompensimin e dëmeve në bujqësi tha se ka pasur mangësi të lëndës nga ana e Komunës së Likovës.

Kujtojmë se në qershor të vitit 2024, Këshilli i Komunës së Likovës mbajti seancë, në të cilën u mor vendim për ridestinimin e mjeteve buxhetore për dëmet e shkaktuara nga reshjet. Aso kohe, reagoi edhe Erkan Arifi kryetari i Komunës së Likovës, i cili u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që kishin pësuar dëme të dorëzonin urgjentisht dokumentet e nevojshme. Megjithatë, deri më sot, bujqit e Likovës nuk kanë marrë asnjë dëmshpërblim.

Qershorin e vitit të kaluar, të reshurat e rrëmbyeshme të shiut gjatë mbrëmjes shkaktuan dëme të mëdha në fshatrat e Komunës së Likovës. Shirat e dendur përmbytën rrugët dhe shkaktuan shkatërrime të konsiderueshme në të mbjellat bujqësore.