OBSH-ja dënoi sulmet izraelite në objektet e saj në Gazë
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka thënë se ofensiva tokësore e Izraelit në qendër të Gazës, i ka penguar përpjekjet e saj për të vazhduar punën, meqë i janë goditur objektet, transmeton Radio Evropa e Lirë.
Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara i ka akuzuar forcat izraelite për sulm në një ndërtesë ku është strehuar stafi i saj dhe familjet e tyre në qytetin Deir al-Balah, dhe për keqtrajtim të atyre që kanë qenë në ato hapësira.
Ushtria izraelite nuk i ka komentuar ende këto pretendime.
Mijëra palestinezë janë detyruar të shpërngulen si pasojë e operacionit të parë të madh të ushtrisë izraelite në Deir al-Balah prej nisjes së luftës së gjenocidale të Izraelit 21 muaj më parë.
OKB-ja ka thënë se është duke pranuar informacione për persona të kequshqyer që janë duke shkuar nëpër klinika dhe spitale në gjendje shumë të rënduar.
Të dielën, ushtria izraelite ka urdhëruar evakuim të menjëhershëm të gjashtë blloqeve në jug të Deir al-Balahut, me “paralajmërimin” se do të operojë “me forcë të madhe për t’i shkatërruar kapacitetet e armikut dhe infrastrukturën “terroriste”.
Vlerësohet se 50.000-80.000 njerëz që kanë jetuar në zonat e prekura, janë urdhëruar që të shkojnë në jug të Gazës.
Sipas kësaj organizate, rreth 87 për qind e Gazës tani është e përfshirë nga urdhrat izraelite për evakuime, duke i detyruar 2.1 milionë njerëz që të ngjeshen në një territor prej 46 kilometrash katrorë ku mungojnë edhe gjërat më elementare.
Burimet izraelite kanë thënë se prezenca e mundshme e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi është arsyeja pse Deir al-Balah nuk është shënjestruar deri më tani nga ndonjë ofensivë tokësore.
Të paktën 20 deri në 50 pengje që janë ende në mbajtje, besohet se janë gjallë.
Familjet e pengjeve janë shprehur të shqetësuara, duke thënë se ofensiva mund t’i rrezikojë ata.
Izraeli e ka nisur luftën gjenocidale në Gazë pas sulmit të kryer nga Hamasi.
Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, mbi 59.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej atëherë.