Valbon Limani do ta ankimojë vendimin e Qeverisë për të besuarin e Gostivarit: Sipas ligjit unë jam kryetar deri në zgjedhje

Ushtruesi i detyrës së Komunës së Gostivarit, Valbon Limani do ta ankimojë vendimin e qeverisë e cila ka emëruar të besuar në këtë komunë deri në zgjedhjet e 11 janarit për këtë komunë. Sipas Limanit, ky vendim është i jashtëligjshëm, raporton Portalb.mk.

Limani thotë se Ligji për vetëqeverisje lokale parasheh që ai të jetë ushtrues detyre i kryetarit të komunës deri në zgjedhjen e kryetarit të ri në zgjedhjet e 11 janarit, por që qeveria ka vepruar ndryshe duke emëruar person tjetër pasi nuk u arrit cenzusi në zgjedhjet e rregullta lokale.

“Në rastin e Komunës së Gostivarit konform të gjitha procedurave ligjore të Ligjit për vetëqeverisje lokale me të cilin unë jam zgjedhur ushtrues detyre kryetar i Komunës së Gostivarit në mënyrë të qartë është e përcaktuar se deri kur zgjatë mandati im, por ja që e pamë se kemi një vendim të qeverisë të cilin ne padyshim do ta ankimojmë për kushtetutshmërinë në Gjykatën Kushtetuese. Besoj se Gjykata Kushtetuese do ta sjellë vendim i cili do të jetë në favorin tonë”, tha Limani në TV21.

Ai shtoi se ligjet duhet të respektohet pa marrë parasysh se për kë bëhet fjalë. Limani tha se në Mavrovë&rostushë dhe Qendër&Zhupë, ku njëjtë nuk u arrit cenzusi, si të besuar të Qeverisë janë emëruar dy kandidatët të cilët kishin më shumë vota në zgjedhjet e kaluara, ndërsa kjo nuk ka ndodhur në Gostivar dhe Vrapçisht.

Dje, Qeveria emëroi të besuar për ushtrimin e kompetencave të kryetarit të komunës në këto komuna si vijon: Oner Jakuposki i besuar për Komunën Mavrovë–Rostushë, Arian Ibraim i besuar për Komunën Qendër Zhupë, Bunjamin Kadriu i besuar për Komunën Vrapçisht, Fadil Xhelili i besuar për Komunën Gostivar.

Valbon Limani u emërua ushtrues detyre në Komunën e Gostivarit pasi ish kryetari i komunës Arben Taravari u emërua ministër i Shëndetësisë.

Sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale, Limani duhet të ushtrojë këtë detyrë deri në zgjedhjen e kryetarit të ri në zgjedhje.

Ligji për vetëqeverisje vokale thotë:

  • Në komunën në të cilën për shkak të paraqitjes së njërit prej rasteve të pushimit të mandatit të kryetarit, me fuqi të ligjit, Këshilli nga radhët e veta ka zgjedhur anëtar i cili do ta kryejë detyrën e kryetarit të komunës, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, anëtari i zgjedhur mbetet që ta ushtrojë detyrën kryetar i komunës deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, të zgjedhur në zgjedhjet e para të rregullta për anëtarë të këshillave të komunave dhe të Kështillit të Qytetit të Shkupit, për zgjedhjen e kryetarit të komunës dhe kryetarit të Qytetit të Shkupit.

Kujtojmë se në raundin e parë të zgjedhjeve në Gostivar pjesëmarrja ishte 33.31 përqind, në Vrapçisht 25.18 përqind, në Mavrovë dhe Rostushë 30.31 përqind dhe në Qendër Zhupë 21.49 përqind.

Nga sot (26 nëntor), fillon shqyrtimi publik i listës zgjedhore për votuesit e regjistruar në katër komunat ku do të përsëriten zgjedhjet për kryetar komune. Votuesit e Gostivarit, Vrapçishtit, Mavrovë Rostushës dhe Qendër Zhupës do të mund të shikojnë të dhënat e tyre në listën zgjedhore nga data 26 nëntor deri më 10 dhjetor.

KSHZ-ja fton të gjithë ata që duan të ndryshojnë të dhënat e tyre, të bëjnë kërkesë në formë elektronike ose në zyrat rajonale të KSHZ-së. Institucioni për organizimin e zgjedhjeve gjithashtu bëri thirrje që qytetarët të paraqesin personat e afërt të familjes që nuk jetojnë më, për t’i shlyer nga lista zgjedhore.

Zgjedhjet e përsëritura janë caktuar për 11 janar 2026. Fushata zgjedhore fillon 20 ditë para ditës së zgjedhjeve, nga 22 dhjetori dhe zgjat deri më 9 janar në mesnatë.

Maqedonia e Veriut më 19 tetor mbajti zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e shtetit në të cilat zgjidhen kryetarë komunash dhe lista këshilltarësh në 81 njësi të vetëqeverisjes lokale, në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit. Ndërsa rrethi i dytë i zgjedhjeve më 2 nëntor.