Ushtari amerikan i vuri flakën vetes para ambasadës izraelite në shenjë proteste kundër gjenocidit në Palestinë

Një anëtar aktiv i ushtrisë së Shteteve të Bashkuara i ka vënë flakën vetes jashtë ambasadës izraelite në Uashington DC, sipas zyrtarëve, në një akt të dukshëm proteste kundër luftës shkatërruese të Izraelit në Gaza, transmeton Portalb.mk nga AlJazeera.

25 vjeçari Aaron Bushnell, u dërgua me urgjencë në spital të dielën me “lëndime kritike të rrezikshme për jetën”, sipas departamentit të zjarrfikësve të kryeqytetit amerikan.

Forcat Ajrore të SHBA-së konfirmuan se incidenti përfshinte një ushtar të forcave ajrore aktiv në detyrë.

Raportet e mediave amerikane thanë se Bushnell transmetoi drejtpërdrejt në Twitch, duke deklaruar se “nuk do të ishte bashkëpunëtor në gjenocid” përpara se të fillonte të digjej.

Më pas ai ndezi veten duke bërtitur “Lironi Palestinën!” derisa ra në tokë.

Pamjet që atëherë janë hequr nga Twitch. Policia lokale tha se po heton ngjarjen.

Policia tha gjithashtu se në vendngjarje u kërkua asgjësimi i mjeteve shpërthyese në lidhje me një automjet të dyshimtë që mund të jetë i lidhur me individin. Më vonë tha se nuk u gjet asnjë material i rrezikshëm.

Ambasada izraelite tha se të gjithë anëtarët e stafit të saj ishin të sigurt.

Ambasada e Izraelit ka qenë objektiv i protestave të vazhdueshme kundër luftës izraelite në Gaza. Protestat nisën pas 7 tetorit kur Hamasi, grupi palestinez që sundon Gazën, vrau 1200 izraelitë dhe kapi 253 pengje në një sulm ndërkufitar.

Që atëherë, forcat izraelite kanë zhvilluar një fushatë ushtarake kundër enklavës bregdetare, me afro 30,000 njerëz të vdekur, sipas zyrtarëve palestinezë shëndetësorë.

Në dhjetor, një protestues i vuri flakën vetes jashtë konsullatës izraelite në Atlanta. Një flamur palestinez u gjet në vendngjarje dhe akti besohet të jetë një “protestë ekstreme politike”.