GLOBISH (II)

Sekreti i “gjuhë-dialektit” globish është shfrytëzimi i një fjalori përtoke, pa sforcime, të thjeshtë, të kapëshëm, duke shmangur gjuhën figurative dhe shakatë. (Allen, 2012) Prestigjiozja “Forbes këtë instrument post-modern të komunikimit e ka cilësuar si “një gjuhë të re ndërkombëtare të afarizmit”. Globish është dukuri e bashkëveprimit dhe bashkjetesës së gjuhëve të shartuara si panglish, varietet dialektesh lokale të anglishtes, spanglish, gjuhë kombinim i fjalëve të spanjishtes dhe anglishtes, tanglish, tamilisht+anglisht, amglish, anglishte amerikane e ndikuar nga gramatika dhe sintaksa online që po dominon gjuhën angleze.

Filozofja dhe psikanliastja franceze Mathilde Ramadier e ka quajtuar globish-in jo-gjuhë (non-language). Sipas saj, në zyrat anembanë botës, të gjithë tani flasin anglisht. Gjuha e Shekspirit sigurisht që është thjeshtuar, globalizuar dhe disi është varfëruar në këtë proces. “Globish” – një anglishte e dërrmuar, e përshtatur dhe reduktuar për një botë globale – bazohet në gramatikën më rudimentare dhe fjalori i saj është i kufizuar, fenomen ky që ngre disa probleme filozofike. (Ramadier, 2020) Globish ju ndihmon që të menaxhoni situatën me pak anglishte, të shfrytëzoni fjali të shkurtra, pa çarë kokën për gabimet e mundshme në një botë të aksenteve native. Megan Hustad thotë se të punosh në globishte është një mënyrë e papritur për të kursyer kohë dhe për të ndërtuar mirëbesim (to save time and to build trust). Sipas saj, është krejtësisht e mundur të drejtosh një kompani në rritje në të cilën disa njerëz punojnë në Nju Jork, disa të tjerë në Itali, një çift në Sicili, të tjerë në periferi të Londrës, Hyderabad etj., dhe mes gjithë këtyre njerëzve të mbizotërojë besimi dhe vullneti i mirë. Ngritja e këtyre strukturave të reja të korporatave ndërkufitare në një kohë kur lajmet janë plot idiotësi, korrupsion, luftënxitëse dhe të shoqëruara me Big Tech që gjithnjë e më shumë po gërryejnë vëmendjen dhe kuletat tona, duket si një akt shprese, shenjë besimi se megjithatë nuk jemi të gjithë të çmendur, të këqij ose budallenj. (Hustad, 2018)

Edhe vetë neve – autorit të kësaj kolumne – na ka ndodhur që në momente të caktuara, kur flasin anglishfolësit autoktonë apo kolegë që kanë studiuar në SHBA apo Angli të ndjehemi inferiorë, të frustruar, të stresuar, madje edhe shpresëthyer se kjo punë s’bëhet, se s’e flasim dot si duhet lingua sacra-n e botës apo gjuhën e perandorisë anglo-amerikane. Herë të tjera jemi ndjerë më komodë kur kemi parë se ka edhe më keq, anglishten sllavofone apo turkofone. Megjithatë, kompleksi mbetet. Leximet e autorëve të ndryshëm flasin se globish duket si një platformë që si mesazh ka: mos u mërzit, mundesh edhe me pak anglishte dhe me anglishte të dobët të komunikosh. Në fakt, të mjaftohesh me globish s’është mirë, por edhe të mëtosh të anglifikohesh totalisht është s’është qasje ideale. Globish, si një anglishte jokorrekte (incorrect english, McIntyre, 2011) dhe jostandarde, ku mund të përdoret gestikulimet dhe veglat vizuale, përsëritjet, nuk është gjuhë e konstruktuar artificialisht si esperanto ose volapük (gjuhë e fundit të shek. XIX e shpikur nga prifti katolik J.M. Schleyer që synonte të krijonte një gjuhë ndërkombëtare). Globish, si një produkt i ndërveprimit natyral të alteriteteve apo tjetërsive dhe i përpjekjes pragmatike për mirëkuptim, është një gjuhë e lehtë, mund të mësohet për një javë! Prandaj ata që s’kanë kohë për t’i përveshur mëngët për të zotëruar gjuhën si një e tërë, mund të kufizohen te vargu i fjalëve që sjellin rezultate në botën e shndërruar në fshat global.

Ta mbyllim me dy shembuj të globishtes, “the son of my brother” (djali i vëllait tim) në vend të “nephew” (nipi) dhe “The room for making food” (dhoma për të bërë ushqim) në vend të “kitchen” (kuzhinë) dhe fjalët e Robert McCrum i cili mëson se në shekullin XXI vlen formula: English+Microsoft=Globish, pra anglishtja e kaluar nëpër makinerinë e IT-së gjeneron mini-gjuhën e mbiquajtur globish. Sipas Kristine Newton-it (2013) globish është më pak konversacionale dhe duket robotike.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.