“Ujësjellës dhe Kanalizime” Shkup: Është regjistruar një numër i madh rastesh të përdorimit joracional të ujit, të kihet kujdes

NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” u ka bërë thirrje qytetarëve për qasje serioze dhe racionale ndaj përdorimit të ujit për shkak të temperaturave të larta dhe rritjes së konsumit. Ndërmarrja informon se është vërejtur një rënie e rendimentit të burimit Rashçe, transmeton Portalb.mk.

Apeli thekson se qytetarët duhet të përmbahen nga mbushja e pishinave, ujitja e sipërfaqeve më të mëdha të gjelbra, si dhe ujitja e fushave dhe kopshteve me ujë nga sistemi i furnizimit me ujë i qytetit. Qëllimi është të sigurohet furnizimi normal me ujë në të gjitha pjesët e qytetit.

Pavarësisht apeleve të mëparshme, NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” ka regjistruar një numër të madh rastesh të përdorimit joracional të ujit. Për këtë qëllim, kontrollorët e ndërmarrjes janë në terren çdo ditë dhe tashmë kanë vërejtur shkelje të tilla në disa vende. Aksioni do të vazhdojë në periudhën në vijim me qëllim mbrojtjen e ujit të pijshëm nga abuzimi dhe përdorimi joracional.

NP “Ujësjellës dhe Kanalizime” u bën thirrje qytetarëve që kanë informacione për keqpërdorim të sistemit përmes lidhjeve të paligjshme ose rrjedhjeve të ujit, ta raportojnë atë në Qendrën e Informacionit të Kujdestarisë në numrin 02 3073 010, në adresën e email-it [email protected] ose në faqen e internetit www.vodovod-skopje.com.mk.

Kujtojmë se në fund të korrikut, kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRRE), Marko Bislimovski, njoftoi se aktualisht humbjet e ujit në nivel shtetëror janë 64%. Ai njoftoi se në periudhën e ardhshme do të ketë ligje të reja dhe investime në infrastrukturën e vjetërsuar.