U zbulua lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit nga një qendër tregtare në Tetovë, ‘Sharri’ filloi instalimin e ujëmatësve digjital, MMPT: Matës po, privatizim jo
Në Tetovë është zbuluar se një nga qendrat tregtare përveç parregullsive në matje, ka bërë lidhje të jashtëligjshme në rrjetin e ujësjellësit. Si rezultat i kësaj, Ndërmarrja Publike Komunale ‘Sharri’ njoftoi se ka filluar instalimin e 1,000 ujëmatësve digjital te harxhuesit më të mëdhenj të ujit. Nga Më Mirë për Tetovën thonë se instalimi i ujëmatësve te harxhuesit e mëdhenj është hapi i duhur, por komuna nuk duhet t’i përdorë këto raste si pretekst për të privatizuar furnizimin me ujë për amvisëritë, shkruan Portalb.mk.
Gjatë inspektimeve të djeshme, ekipet e NPK ‘Sharri’ bashkë me Inspektoratin Komunal kanë konstatuar se në një nga qendrat tregtare të qytetit, përveç parregullsive në matje, është zbuluar një lidhje plotësisht e jashtëligjshme në rrjetin e ujësjellësit, duke anashkaluar çdo sistem kontrolli dhe faturimi.
“Gjithashtu është zbuluar se kanalizimi fekal ishte lidhur në rrjetin atmosferik, duke shkaktuar një katastrofë ekologjike për qytetin tonë. Janë mbledhur të gjitha dëshmitë dhe do të merren masa rigoroze ligjore. Ekipet tona do të jenë në terren edhe në ditët në vazhdim për të verifikuar çdo lidhje”, thanë nga NPK ‘Sharri’.

Ndërmarrja njoftoi se ka nisur një aksion të gjerë në terren për vendosjen e 1,000 ujëmatësve digjital te harxhuesit më të mëdhenj të ujit.
“Qëllimi ynë mbetet i qartë, të sigurojmë ujë të pijshëm për çdo qytetar dhe të sanksionojmë çdo keqpërdorues. Ekipet tona janë duke punuar për vendosjen e matësve të rinj në të gjitha bizneset që shfrytëzojnë ujin për qëllime biznesore. Targeti kryesor i këtij aksioni janë: Qendrat tregtare, restorantet, autolarjet dhe fabrikat e ndryshme”, thanë nga NPK ‘Sharri’.

Nga aty u bënë thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që të paraqesin kërkesë për kyçje të ligjshme në rrjetin e ujësjellësit.
“Për çdo lidhje të jashtëligjshme që do të konstatohet, do të pasojnë sanksione të ashpra ligjore”, thanë nga NPK Sharri.
Lidhur me këtë, kanë reaguar nga nisma ‘Më Mirë për Tetovën’. Ata thonë se instalimi i ujëmatësve te harxhuesit e mëdhenj është hapi i duhur, por komuna nuk duhet t’i përdorë këto raste si pretekst për të privatizuar furnizimin me ujë për amvisëritë.
“Kjo është e domosdoshme që qytetarët e Tetovës të mos përballen me fatura marramendëse përmes rritjes “paushall” të çmimeve, ashtu siç ndodhi me rastin e “Saubermacher-it”. Duke pasur parasysh të hyrat e përgjithshme dhe përfitimet nga instalimi i ujëmatësve te harxhuesit e mëdhenj, vlerësojmë se Komuna mund t’i sigurojë vetë ujëmatësit digjitalë. Instalimi i tyre mund të bëhet me faza, pa pasur nevojë për partneritet me sektorin privat, e cila rezulton e dëmshme për qytetarët”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.
Ata theksojnë se lidhjet ilegale në rrjetin e ujësjellësit dhe kanalizimit duhet të sanksionohen rreptësisht.
“Të hyrat e NPK “Sharri” duhet të investohen kryesisht në zëvendësimin e rrjetit të vjetëruar, veçanërisht të gypave prej azbesti, të cilët përbëjnë mbi 20% të instalimeve dhe janë tejet të dëmshëm për shëndetin e qytetarëve”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.

Kujtojmë se javë më parë, debati publik mbi studimin e fizibilitetit për shërbimet e ujit në Tetovë ka nxitur reagime të shumta nga qytetarët, opozita dhe shoqëria civile të cilët alarmojnë se me këtë paralajmërohet privatizimi i ndërmarrjes për ujësjellës dhe kanalizim. Ndërkaq sipas Komunës së Tetovës, nuk do të privatizohet uji por planifikohet të shkohet në partneritet publiko-privat për instalimin e ujëmatësve, matjen dhe inkasimin e pagesave.
Çështja e vendosjes së ujëmatësve dhe përfshirjes së sektorit privat ka hapur një debat më të gjerë mbi kontrollin publik, transparencën dhe përgjegjësinë në menaxhimin e ujit, duke ngritur shqetësime tek qytetarët për ndikimin që këto ndryshime mund të kenë në faturat që ata do t’i paguajnë. Megjithatë ende nuk ka vendim.
- LEXO: Këshilltarët e BDI-së dhe ASh-së së bashku me Më Mirë për Tetovën akuzojnë për privatizim të ujit, komuna i quan manipulatorë
- LEXO: Debat për shërbimet e ujit në Tetovë: Privatizim i fshehtë apo zgjidhje teknike? (Video)
- LEXO: Kundërspin: Logjika e Kasamit për zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë në Tetovë “nuk pi ujë”
Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.
Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.
Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.
Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.
Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.
Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit vazhdon të premtojë rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.