Rrjeti i vjetëruar i ujësjellësit në Tetovë, 21% me azbest kancerogjen (Video)

21 përqind e gypave të rrjetit të ujësjellësit të Tetovës janë me azbest, material kancerogjen i cili në disa vende është larguar nga përdorimi tani e disa vite. Këta gypa të vjetër janë arsye që shumë ujë humbet në rrjet dhe nuk arrin te qytetarët. Shoqata ‘Më Mirë për Tetovën’ alarmon se ky problem duhet të zgjidhet nga themeli, ndërsa drejtori i ndërmarrjes së ujësjellësit premtoi zgjidhje, shkruan Portalb.mk.

Përskaj defekteve të shpeshta me rrjetin e ujësjellësit dhe mungesën e ujit, problem në vete në këtë drejtim është se një pjesë e ujësjellësit në Tetovë ka gypa të vjetër me përmbajtje azbesti. Rrjeti gjithashtu është i vjetër dhe i amortizuar.

Nga Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e konfirmuan për Portalb.mk se 21 përqind e gypave të ujësjellësit në qytet janë me azbest.

“Komuna të nisë nga themeli te pullazi, jo anasjelltas”

Këshilltari komunal nga nisma ‘Më Mirë për Tetovën’ Agron Arifi i tha Portalbit se edhe pse vitet e fundit është punuar më seriozisht në zëvendësimin e gypave të azbestit, Tetova përsëri në rrjetin e saj të ujësjellësit ka gypa të tilla që me ligjet e BE-së janë të ndaluara nga viti 2005.

“Humbjet e ujit në rrjetin e ujësjellësit të vjetërsuar janë pikërisht për shkak të këtyre gypave. Komuna e Tetovës duhet ta ketë imperativ zëvendësimin e këtyre gypave, që do e përmirësonin edhe sasinë e ujit që do arrijë tek qytetarët, e jo të fokusohet në ujëmatësit digjitalë, që mendoj se duhet të jenë hallka e fundit në kompletimin e mozaikut të sistemit të ujësjellësit në Tetovë”, tha Arifi.

Ai thotë se zgjidhjen e këtij problemi të madh për Tetovën e kërkojnë të nisë nga themeli deri te pullazi dhe jo e kundërta, nga pullazi e pastaj te themeli.

Azbesti i rrezikshëm kur thithet

Kohë më parë, Specialisti i higjienës dhe ekologjisë, Ratko Davidovski ka sqaruar se azbesti nuk përthithet nga trakti tretës, ndaj nuk është i rrezikshëm nga pikëpamja shëndetësore dhe mjedisore me tubacionet e ujit.

“Është i rrezikshëm për shëndetin kur thithet”, ka thënë Davidovski.

21 përqind e gypave të ujit me azbest

Drejtori i NPK ‘Sharri’ Valon Zeqiri e konfirmoi për Portalb.mk se diku te 21 përqind në qytet janë gypa azbesti.

“Lemi tre linja kryesore, linjën që del nga rezervuari i qytetit diku te 550 metra, aty veç se e kemi ati projektin dhe do të fillojnë punimet për ndërrimin e asaj, ndërsa pjesa tjetër është dashur që të riparohen kur janë asfaltuar rrugët, rrugë të cilat janë asfaltuar para diku 7-8 viteve, nuk janë riparuar, ne kemi përgatitur veç më projekt për t’i ndërruar të gjithë këto gypa që janë me azbest”, tha Zeqiri.

Për atë se kur pritet që të ndërrohen këto gypa, Zeqiri beson se brenda një viti do ta ndërrojnë gypin kryesor i cili është 550 metra që del prej te rezervuari deri poshtë te rruga ‘Murat Baftjari.

“Pastaj do të fillojmë edhe kemi diku 2 kilometra që duhet t’i ndërrojmë brenda qytetit”, tha Zeqiri.

Ku ndodhen gypat me azbest në Tetovë?

Gypat me azbest në qytet ndodhen përgjatë këtyre rrugëve:

  • A.J. Zhurçin: 450-550m.
  • Çarshia e Epërme deri te Biblioteka e Vjetër: 350-750m.
  • Çarshia e Epërme – shkolla Tekstile dhe disa pjesë në qytet: 300-1.5km.
  • Biblioteka e Vjetër – Boris Kidriç – I.R.L: 250-1.6km.
  • I.R.L – Qendër – Pazar: 200-850m.
  • Pazar – Monopoll: 150-830m.
  • Bllagoja Toska – Kazerma: 125-250m.
  • L. B. Pish – Lubotenska – Bllagoja Toska – Gostivarska: 100-1.4km.
  • Km-Brane Stefanovski – L.B. Pish – Boris Kidriç: 80-1.5km.
  • Gjorçe Petrov – Boro Vuliq: 50-650m.

Komuna e harroi premtimin

Nga komuna e Tetovës në vitin 2022 patën theksuar se e zëvendësimi i tubacioneve të vjetra me të reja bëhet gjatë defekteve të cilat paraqiten shpesh.

Nga ky institucion patën premtuar se planifikojnë të fokusohen në zgjidhjen e këtij problemi, megjithatë kjo çështje ende mbetet e pazgjidhur në tërësi.

Çfarë duhet të dimë për gypat e azbestit?

Azbesti është kancerogjen i njohur me anë të rrugës së thithjes/frymëmarrjes. Bazuar në njohuritë e deritanishme shkencore, nuk ka evidencë që ingjestimi (marrja përmes gëlltitjes) i asbestit dëmton shëndetin. Edhe pse është studiuar mirë, nuk ka prova bindëse për kancerogjenitetin e asbestit të ndërlidhur me ujë të pijshëm. Pikërisht për këtë arsye, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) nuk ka përcaktuar vlerë parametrike kufizuese për sasinë e asbestit në ujin e pijshëm.

Asbesti ka strukture fijore të gjatë dhe të hollë, si gjilpëra. Kur këto fije/fibra mikroskopike lëvizen nga rrymimet ajrore, ato lundrojnë në ajër dhe mund lehtësisht me frymëmarrje të futen në mushkëri. Shkencëtarët Asbestin e kanë njohur si një kërcënim për shëndetin e njerëzve sepse këto fibra kur futen në mushkëri mund të shkaktojnë kancer dhe sëmundje tjera të mushkërive. Ne të gjithë jemi të ekspozuar ndaj niveleve të ulëta të asbestit në ajër, mirëpo ka më shumë të ngjarë të përjetojmë çrregullime të lidhura me asbest varësisht nga përqendrimet e larta të asbestit dhe kohëzgjatja e ekspozimit.

Studimet e ndryshme kanë konfirmuar që marrja e asbestit përmes inhalimit (organeve të frymëmarrjes) mund të shkaktojë kancer të mushkërive. Rrjedhimisht, problemi sa i përket përdorimit të gypave të asbest-çimentos për sistemet e furnizimit me ujë është për personat të cilët i ekspozohen pluhurit të asbestit gjatë punës me këta gypa, për shkak të rrezikut të inhalimit të këtij pluhuri. Ky fakt imponon domosdoshmërinë që Ndërmarrjet Publike të Ujësjellësit të ndërmarrin masat e duhura mbrojtëse për mbrojtjen e shëndetit të punëtorëve të cilët i ekspozohen rrezikut nga pluhuri i asbestit.

Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte.

Premtimet e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit nuk janë realizuar siç ai ka premtuar.

Pavarësisht se ka pasur intervenime, qytetarët në këto katër vite janë përballur me mungesa, restrikcione dhe probleme të ndryshme të furnizimit me ujë. Kasami është arsyetuar se punët që nuk janë bërë brenda dyzet viteve nuk mund të bëhen brenda një viti apo katër viteve.

Para zgjedhjeve lokale 2021 në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të kenë që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premtoi rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Ndërsa edhe në programin e tij zgjedhor 2025-2029 për menaxhimin me Tetovën, te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.