U vu në përdorim rruga e rikonstruuar Strugë-Qafë Thanë

Sot është vënë në përdorim rruga e rikonstruuar Podmolje-Strugë-Qafë Than. Projekti i ndërtimit ka kushtuar gati 8 milionë euro dhe me përfundimin e tij do të përmirësohet lidhja rrugore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski, së bashku me Zëvendëskryeministrin e Parë dhe ministrin e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve ndërmjet Komuniteteve, Artan Grubi, ministrin e Transportit dhe Lidhjeve Blagoj Boçvarski dhe Ejup Rustemin, drejtor i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, sot morën pjesë në vënien në punë të rrugës.

“Seksioni Podmolje-Strugë-Qafthan ka avantazhe të mëdha ekonomike, hap mundësi për tregti dhe investime, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e infrastrukturës së transportit, që ka një efekt jashtëzakonisht pozitiv në stimulimin e rritjes ekonomike të të dy vendeve. Rruga shtetërore A2 lidhet edhe me Korridorin 8, i cili është i një rëndësie kyçe për lidhjen e vendit tonë jo vetëm me rajonin, por pozicioni gjeostrategjik i Korridorit 8 mundëson që Maqedonia e Veriut të bëhet një rrugë e pashmangshme transporti me vendet evropiane”, tha kryeministri Kovacevski. 

Drejtori i NP Rrugë Shtetërore Ejup Rustemi tha se kompania do të vazhdojë të punojë intensivisht dhe me përkushtim për realizimin e ciklit më të madh të investimeve në vend.

“Realizimi i këtij projekti është shembull se mund dhe duhet të ndërtohet sipas dinamikës së përcaktuar më parë, gjegjësisht mundet dhe do të ndërtohet me kohë, shpejt dhe me cilësi të lartë”, tha Rustemi.

Kujtojmë se nga të gjitha segmentet rrugore që e përbëjnë Korridorin VIII, në gjendje më kritike ishte rruga magjistrale Strugë-Qafë Thanë. Kjo është rruga kryesore që lidh Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë fqinje dhe mundëson qasje në portin e Durrësit.

Premtimet se do realizohen zhvillimi i infrastrukturës rrugore të pjesës më kritike të Korridorit VIII janë bërë gati se çdo vit. Në vitin 2021 edhe pse u premtua, e njëjta nuk figuronte në projektet primare në Programin vjetor të NP “Rrugët Shtetërore”.