U ulën akcizat për karburantet, TVSH prej 10 përqind do të vazhdojë deri në fund të gjendjes së krizës

Ulje të akcizave për 4 denarë për dizelin dhe benzinën pa plumb prej 95 dhe 98 oktanë për 2 denarë për litër, vendosi Qeveria sot në mbledhjen e jashtëzakonshme, raporton MIA.

Vendimin në konferencën për media e kumtoi kryeministri Hristijan Mickoski, duke theksuar se me këtë në mënyrë dramatike do të ulet çmimi i karburanteve dhe mbrohet standardi i qytetarëve.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme Qeveria vendosi që TVSH-ja për karburantet të vazhdojë të ulet prej 18 në 10 për qind deri në fund të gjendjes së krizës, e cila do të përfundojë më 20 prill.

Mickoski theksoi se pa uljen e akcizës, një litër dizel do të ishte rreth 102 ose mbi 102 denarë, ndërsa benzina pa plumb prej 95 dhe 98 oktanë do të ishte më e shtrenjtë për 1,5 deri 2 denarë.

Kumtoi se sot kishin bisedime edhe me OKTA-n dhe u morën vesh që zbritjen ta vazhdojnë deri në fund të prillit, nga 3 denarë për dizelin për një litër, ndërsa për benzinën pa plumb prej 95 dhe 98 oktanë edhe 2 denarë më pak për një litër.

“Kur analizohet e gjithë kjo, arrijmë në çmimin për naftën që do të jetë i njëjtë me më parë, nëse llogarisim zbritjen prej 4 denarësh për akcizën dhe 3 denarë që marrim nga OKTA, në mënyrë që të amortizojmë rritjen e mundshme prej 7 denarësh për litër, ndërsa për benzinën pa plumb me oktan 95 dhe 98, krahas 2 denarëve të akcizës për litër, do të kemi ulje prej 2 denarësh për litër, domethënë do të jemi 2 denarë nën çmimin që ishte në periudhën e mëparshme të rregulluar, pra javën e kaluar”, deklaroi Mickoski në konferencën për media.

Theksoi se vendimi është marrë për shkak të pasigurisë si pasojë e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe presionit mbi ekonominë. Siç tha, nuk mund të jemi të izoluar nga ndikimi i proceseve globale, por veprojmë dhe nuk presim që kriza të na shkelë.

Ndërkohë, Ministria e Energjetikës po shqyrton rekomandimet për kursim që së fundmi i prezantoi Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë. Në paketën e rekomandimeve përfshihen kufizimi i kërkesës për karburante, ulja e kufirit të shpejtësisë në autostrada për 10 kilometra në orë, nxitja e përdorimit të transportit publik, sistemi çift-tek për automjetet private, ndarja e transportit, përkatësisht adoptimi i zakoneve më ekonomike të vozitjes, si dhe puna nga shtëpia aty ku është e mundur.

Kriza aktuale e çmimeve të karburanteve lidhet ngushtë me zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, ku përshkallëzimi i konfliktit ushtarak i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraeli ka ndikuar drejtpërdrejt në tregjet globale të energjisë. Ky tension ka shkaktuar pasiguri në furnizimin me naftë dhe rritje të çmimeve në bursat ndërkombëtare, duke reflektuar më pas edhe në vendet e rajonit. Si pasojë, shumë shtete janë përballur me rritje të kostove të importit të karburanteve, çka ka detyruar qeveritë të ndërhyjnë me masa fiskale dhe rregullatore për të zbutur ndikimin tek qytetarët.