U sekuestruan 105 kilogramë kokainë në Selanik, midis 10 të arrestuarve katër janë shtetas të RMV-së

Policia e Maqedonisë së Veriut në bashkëpunim me policinë e Greqisë zbuloi 105 kilogramë kokainë që u sekuestruan në Selanik të Greqisë. Në këtë aksion policor janë arrestuar 10 persona edhe atë shtatë nga Greqia, tre nga Shqipëria, kurse në Maqedoni janë arrestuar katër persona, njofton Portalb.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme informojnë se rasti është realizuar si rezultat i bashkëpunimit disamujor me autoritetet në Selanik ndaj anëtarëve të cilët si anëtarë të grupeve kriminale të organizuara kanë ndërmarrë disa veprime me qëllim të marrjes së drogës nga Ekuadori në Selanik që më pas të dërgohet në disa vende.

“Kokaina ka arritur në kontenjerë të frutave të bananeve që janë paguar një person juridik nga Shkupi, ndërsa pronari i personit juridik është A.K (70) nga Shkupi i cili ka regjistruar firmën në vitin 2022 në marrëveshje me S.G (58) nga Gjevgjelia për ta përdorur për import të frutave nga Amerika Jugore. Pas arritjes në Selanik, kontejnerët janë sekuestruar nga automjeti me tabela të Gjevgjelisë e drejtuar nga shtetasi i Maqedonisë M.M (30) i cili është angazhuar nga S.G. Pas marrjes së mallit, M.M është drejtuar te një magazinë në afërsi të Selanikut nga ku është kapur nga policia greke dhe janë gjetur 105 kilogramë kokainë, ndërsa M.M është privuar nga liria”, thuhet në kumtesën nga MPB-ja.