U publikuan lokacionet e shpërndarjes së ujit të pijshëm në Gostivar
Për banorët e Gostivarit, ku është shpallur epidemi, sot do të sigurohen tre kamionë me 76 mijë litra ujë, në ditët në vijim sasia do të rritet varësisht nga nevojat, dhe nëse është e nevojshme, do të përfshihen edhe cisterna uji, informoi sot në një konferencë për shtyp Ivica Tomovski, drejtor i Shërbimit të Punëve të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë, i cili prezantoi edhe vendet ku do të shpërndahet uji, transmeton Portalb.mk.
Tomovski siguron se që nga momenti i parë kur u raportua situata me furnizimin me ujë në Gostivar, Qeveria ka qenë në koordinim të vazhdueshëm dhe të drejtpërdrejtë me të gjitha institucionet kompetente dhe se po e ndjek nga afër zhvillimin e ngjarjeve në çdo moment.
“Përveç përgjegjësisë institucionale, veprimeve të autoriteteve kompetente, zbatimit të të gjitha kontrolleve dhe analizave të nevojshme laboratorike, Qeveria ka ndërhyrë për të siguruar 50 litra ujë të pijshëm, i cili do t’u shpërndahet çdo ditë qytetarëve të Gostivarit. Kjo masë fillon sot dhe do të vazhdojë në ditët në vijim me qëllim sigurimin e nevojave themelore të popullsisë, ndërsa masat dhe rekomandimet e institucioneve janë në fuqi”, njoftoi Tomovski.
Ai njoftoi se shpërndarja e ujit do të bëhet në lokacionet e mëposhtme: Ujësjellësi Gostivar, Çerdhja “Prolet”, Shkolla e Mesme Ekonomike Gostivar, NP Pyjet Kombëtare – Dega Shar Gostivar, SHA EMV Dega pranë Garazheve, Spitali i Përgjithshëm Gostivar dhe Njësia Territoriale e Zjarrfikësve Gostivar – informoi sot në një konferencë për shtyp Drejtori i ShPPPQ Ivica Topomovski. Nëse është e nevojshme, lokacionet do të zgjerohen.
Përveç kësaj, uji do të shpërndahet direkt në çerdhet dhe spitalin në Gostivar për të siguruar funksionimin e qetë të këtyre institucioneve kyçe, mbrojtjen e kategorive më të prekshme, fëmijëve dhe pacientëve.
Sipas Tomovskit, në të njëjtën kohë, të gjitha institucionet kompetente po vazhdojnë me kontrolle intensive, analiza dhe veprime hetimore për të përcaktuar plotësisht shkaqet e situatës.
Ndryshe, Gostivari po përballet me një epidemi të problemeve gastrointestinale, pasi numri i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim vazhdon të jetë i lartë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, çdo ditë paraqiten rreth 250 deri në 300 pacientë të rinj, ndërsa për shkak të rritjes së rasteve Qendra për Shëndet Publik në Tetovë shpalli epidemi në territorin e Komunës së Gostivarit. Institucionet shëndetësore po kryejnë analiza laboratorike dhe hetime epidemiologjike për të përcaktuar shkaktarin, ndërsa qytetarëve u është rekomanduar të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit deri në daljen e rezultateve përfundimtare.
Ndërkohë, Policia ka arrestuar drejtoreshën e NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani. Bashkë me të janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtor të saj, drejtori teknik, Leon Nuredini dhe përgjegjësi i ujësjellësit, Vadedin Dervishi. Pas pak pritet që të njëjtit të dalin para prokurorisë dhe gjykatësi i procedurës paraprake të ju cakton masat e kujdesit,
- LEXO: Epidemia në Gostivar: U arrestua drejtoresha e ujësjellësit, drejtori teknik dhe përgjegjësi ndërsa Prokuroria nuk zbulon detaje
- LEXO: Është shpallur epidemi në Gostivar, vetëm sot 204 pacientë kanë kërkuar ndihmë
- LEXO: Ministria e Shëndetësisë doli me informacione për gjendjen epidemiologjike në rajonin e Gostivarit
- LEXO: ISHP: Uji i çezmës në Gostivar nuk guxon të pihet dhe as të përdoret për larjen e frutave apo përgatitjen e ushqimit
- LEXO: Përplasje politike për situatën në Gostivar: Institucionet kompetente presin rezultatet, Panovski kërkoi shpalljen e epidemisë
- LEXO: Dyshime për ndotje të ujit në Gostivar: Disa persona përfunduan në spital, AUV e ndaloi përdorimin e ujit për pije