Epidemia në Gostivar nuk po qetësohet, mbi 3.000 persona kërkuan ndihmë mjekësore në pesë ditë
Gjithsej 3.100 qytetarë kërkuan ndihmë mjekësore në pesë ditët e fundit nga mjekët me ankesa në stomak në Gostivar. Që nga dje (19 korrik), në Gostivar është shpallur epidemi për shkak të një rritjeje të rregullt të rasteve të reja në baza ditore me ankesa në stomak, transmeton Portalb.mk.
Pacientët e parë me simptoma u shfaqën më 14 korrik, tha Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski më 20 korrik. Ai shtoi se dje, për herë të parë, u vu re një rënie në numrin e pranimeve të pacientëve. Klekovski njoftoi se Komisioni për Sëmundjet Infektive do të mblidhet gjithashtu sot dhe do të dalë me rekomandimet përkatëse.
Analizat mikrobiologjike janë të plota dhe rezultatet janë dorëzuar në Prokurori, e cila duhet t’i shpallë ato për publikun dhe të kualifikojë rastin.
“Testet u kryen me kërkesë të Prokurorisë dhe kur të japin pëlqimin e tyre për t’i bërë ato publike, ne do t’i shpallim rezultatet. Ne nuk duam të ndërhyjmë në hetim”, tha Klekovski, duke shtuar se ushqimi nuk është më një faktor.
Ministri i Shëndetësisë, Sashko Klekovski, në emisionin “Tema e Ditës” në televizionin Sitel mbrëmë tha se numri i rasteve të reja ende nuk po bie dhe se çdo ditë paraqiten mes 250 dhe 300 pacientë.
“Dje kishim rreth 100 pacientë në repartin e pediatrisë dhe 160 në repartin e sëmundjeve infektive. Sot kemi një numër të ngjashëm në pediatri dhe rreth 200 në repartin infektiv”, tha Klekovski.
Ai sqaroi se gjendja klinike e shumicës së pacientëve është e lehtë, me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidrim, ndërsa temperatura e lartë paraqitet më rrallë.
Pacientët marrin terapi për rehidrim, infuzione dhe trajtim sipas simptomave. Pas marrjes së infuzionit, shumica dërgohen në shtëpi, ndërsa vetëm një numër i vogël mbahen në spital.
“Më duket se dje ishin tre fëmijë që qëndruan gjatë natës në spital, ndërsa sot janë mbajtur disa pacientë të rritur, kryesisht persona me sëmundje të tjera shoqëruese, të cilët për shkak të dehidrimit dhe si masë kujdesi janë hospitalizuar”, tha ministri.
Lidhur me shpalljen e epidemisë, Klekovski tha se kjo është bërë për të përmirësuar koordinimin ndërmjet institucioneve, duke shtuar se masat shëndetësore dhe informimi i qytetarëve kanë nisur edhe para shpalljes së saj.
Ai theksoi se të gjithë pacientët po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Gostivarit dhe se aty ka mjaftueshëm barna dhe personel, ndërsa nevojat mbulohen edhe me rotacion të mjekëve nga repartet e tjera.
Ministri bëri të ditur se po kryhen analizat e nevojshme laboratorike, ndërsa pacientët po intervistohen përmes anketave epidemiologjike për të identifikuar burimin e mundshëm të infeksionit.
Duke komentuar faktin se edhe tre ditë pas rekomandimit që të mos konsumohet uji i ujësjellësit vazhdojnë të paraqiten raste të reja, ai tha se është e domosdoshme të përfundojnë hetimet epidemiologjike për të përcaktuar shkaktarin.
Sipas të dhënave të deritanishme, shpërndarja gjeografike dhe demografike e të prekurve e përjashton ushqimin si burim të infeksionit.
“Kemi njerëz të prekur nga fëmijët më të vegjël deri te të moshuarit, si dhe nga disa vendbanime që furnizohen edhe nga sisteme të tjera të ujësjellësit. Prandaj nuk duhet të nxjerrim përfundime të nxituara, por të presim rezultatet e hetimeve”, tha ai.
Klekovski kujtoi se edhe në vitin 2017 Gostivari ishte përballur me një situatë të ngjashme me qindra të sëmurë, ndërsa shkaktari nuk ishte zbuluar asokohe.
Ai njoftoi se rezultatet e analizave të ujit pritet të publikohen sot, ndërsa analizat po kryhen me kërkesë të Prokurorisë Publike.
“Po veprojmë me përgjegjësi maksimale dhe nuk duam të nxitojmë me përfundime. Rezultatet do t’i bëjë publike Prokuroria Publike”, deklaroi ministri.
Sa u përket dyshimeve se pompat e lidhura me rrjetin e ujësjellësit mund të jenë burimi i ndotjes, Klekovski tha se ato janë nxjerrë menjëherë jashtë përdorimit sapo është konstatuar problemi, ndërsa rekomandimi që uji i ujësjellësit të mos përdoret për pije mbetet në fuqi.
Ndërkohë, Qendra për Shëndet Publik në Tetovë shpalli epidemi në territorin e Komunës së Gostivarit për shkak të rritjes së menjëhershme të rasteve me shqetësime gastrointestinale.
Epidemiologia Zorica Zafiroska deklaroi se shkaktari i situatës ende nuk është identifikuar dhe se analizat janë në vijim. Sipas saj, deri më tani janë përpunuar rreth 140 njoftime zyrtare për sëmundje ngjitëse, ndërsa vazhdojnë inspektimet dhe anketat epidemiologjike
Dje në Gostivar nisi shpërndarja e sasive të para të ujit të ambalazhuar, pasi Qeveria vendosi të sigurojë 50 mijë litra ujë të pijshëm falas çdo ditë, për aq kohë sa mbetet në fuqi rekomandimi i institucioneve kompetente që uji i ujësjellësit të mos përdoret për pije.
Sipas Klekovskit, është shumë e pamundur që rreth një mijë persona të moshave të ndryshme të infektohen nga ushqimi, pa pasur një burim të përbashkët, si një mensë apo fabrikë.
Në fund të tetorit 2017, për vetëm katër ditë, rreth 450 banorë të Gostivarit dhe fshatrave përreth kërkuan ndihmë mjekësore me simptoma të ngjashme – të vjella, dhimbje stomaku dhe diarre.
Asokohe Ministria e Shëndetësisë njoftoi se, bazuar në masat epidemiologjike, nuk ishte konstatuar ndonjë lidhje me konsumimin e ushqimit nga i njëjti objekt. Dyshimet kryesore ishin për ujin e ujësjellësit të qytetit.
Megjithatë, edhe pse u kryen analiza të shumta, shkaku i asaj ngjarjeje nuk u zbulua kurrë. Instituti për Shëndet Publik më pas njoftoi se analizat fiziko-kimike dhe bakteriologjike kishin treguar se uji ishte i sigurt për konsum dhe nuk përmbante pesticide.
Gjatë javëve të fundit në Gostivar janë realizuar disa ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit, për të cilat ende nuk dihet nëse kanë ndikuar në cilësinë e ujit.
Më 8 korrik, Komuna njoftoi se po ndërtohej me ritëm të përshpejtuar gypi kryesor i ri i ujësjellësit, me synim rritjen e kapacitetit të furnizimit me ujë për më shumë se 40 për qind.
Ndërsa më 24 qershor, Komuna informoi se Ndërmarrja Publike “Komunalec” po kryente punime teknike për rritjen e presionit në rrjetin e ujësjellësit dhe se, si pasojë e këtyre punimeve, uji nuk ishte i sigurt për konsum. Qytetarëve u ishte rekomanduar të mos e pinin ujin deri në përfundimin e analizave laboratorike.
Para dhe pas këtyre njoftimeve, në territorin e Komunës së Gostivarit u zhvilluan edhe dy aksione të dezinsektimit tokësor kundër mushkonjave dhe insekteve të tjera. I pari u paralajmërua më 22 qershor, ndërsa i dyti më 17 korrik.
Për dezinsektim u përdor preparati Kuflak 50 EC, një preparat profesional biocid që konsiderohet i sigurt nëse përdoret sipas udhëzimeve.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se nëse spërkatja kryhet në mot me erë, grimcat mund të bien mbi rezervuarë të hapur ose burime uji. Gjithashtu, përdorimi i papërshtatshëm pranë puseve mund të çojë në depërtimin e substancave aktive në ujërat nëntokësore.
Për këtë arsye nuk rekomandohet spërkatja në një rreze prej 15 deri në 30 metrash nga puset, burimet, kanalet apo lumenjtë.
Konsumimi i ujit të ndotur me insekticide të tilla mund të shkaktojë të vjella, dhimbje barku dhe diarre, ndërsa në raste më të rënda dobësi të përgjithshme, dhimbje muskulore, vështirësi në frymëmarrje dhe probleme neurologjike.
Me kërkesë të Prokurorisë Publike po kryhen analiza laboratorike të zgjeruara, të cilat përfshijnë jo vetëm bakteret dhe turbullirën e ujit, por edhe analiza për parazitë, metale të rënda, viruse dhe ndotës të tjerë të mundshëm.
Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, deklaroi se sipas analizave të rregullta të Ndërmarrjes Publike “Komunalec”, mostrat e deritanishme të ujit kanë rezultuar brenda kufijve të lejuar me ligj. Megjithatë, ai u bëri thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimin e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, e cila ndalon përdorimin e ujit të ujësjellësit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit.
Edhe ish-kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, apeloi që të mos nxirren përfundime politike pa u vërtetuar faktet.
“Si mjek dhe si ish-kryetar i Gostivarit, me shqetësim të madh po e ndjek situatën me numrin e madh të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Në këto momente më të rëndësishmet janë faktet. Sipas informacioneve të deritanishme, analizat fiziko-kimike të ujit, përfshirë vlerën e pH-së dhe nivelin e klorimit, nuk kanë treguar devijime. Analizat mikrobiologjike dhe testimet shtesë për metale dhe parametra të tjerë janë ende në zhvillim, ndërsa ekipet e Institutit për Shëndet Publik po punojnë edhe gjatë fundjavës. Prandaj askush nuk duhet të nxjerrë përfundime para kohe. Shkakun do ta përcaktojnë ekspertët, në bazë të analizave dhe jo të vlerësimeve politike”, ka shkruar Taravari në rrjetet sociale.
Ndryshe, Gostivari po përballet me një epidemi të problemeve gastrointestinale, pasi numri i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim vazhdon të jetë i lartë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, çdo ditë paraqiten rreth 250 deri në 300 pacientë të rinj, ndërsa për shkak të rritjes së rasteve Qendra për Shëndet Publik në Tetovë shpalli epidemi në territorin e Komunës së Gostivarit. Institucionet shëndetësore po kryejnë analiza laboratorike dhe hetime epidemiologjike për të përcaktuar shkaktarin, ndërsa qytetarëve u është rekomanduar të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit deri në daljen e rezultateve përfundimtare.
Ndërkohë, Policia ka arrestuar drejtoreshën e NP “Komunalec” në Gostivar, Artana Asani. Bashkë me të janë arrestuar edhe dy bashkëpunëtor të saj, drejtori teknik, Leon Nuredini dhe përgjegjësi i ujësjellësit, Vadedin Dervishi. Pas pak pritet që të njëjtit të dalin para prokurorisë dhe gjykatësi i procedurës paraprake të ju cakton masat e kujdesit,
- LEXO: Epidemia në Gostivar: U arrestua drejtoresha e ujësjellësit, drejtori teknik dhe përgjegjësi ndërsa Prokuroria nuk zbulon detaje
- LEXO: Është shpallur epidemi në Gostivar, vetëm sot 204 pacientë kanë kërkuar ndihmë
- LEXO: Ministria e Shëndetësisë doli me informacione për gjendjen epidemiologjike në rajonin e Gostivarit
- LEXO: ISHP: Uji i çezmës në Gostivar nuk guxon të pihet dhe as të përdoret për larjen e frutave apo përgatitjen e ushqimit
- LEXO: Përplasje politike për situatën në Gostivar: Institucionet kompetente presin rezultatet, Panovski kërkoi shpalljen e epidemisë
- LEXO: Dyshime për ndotje të ujit në Gostivar: Disa persona përfunduan në spital, AUV e ndaloi përdorimin e ujit për pije