U promovua baza për pronësinë e mediave në Maqedoninë e Veriut

Njëmbëdhjetë kanale televizive, pesë radio, 13 media online dhe pesë gazeta janë pjesë e bazës së të dhënave maqedonase “Monitorimi i pronësisë së medias” – MPM, e cila u promovua dje nga ekipi i organizatës joqeveritare Global Media Register – GMR dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarëve Hulumtues – BIRN, raporton Prizma, transmeton Portalb.mk.

Versioni maqedonas i MPM-së është pjesë e një projekti rajonal që përfshin Serbinë, Shqipërinë, Malin e Zi, Kosovën dhe Bosnje-Hercegovinën. Është në dispozicion në anglisht dhe maqedonisht, së shpejti edhe në shqip.

Gjetjet e anketës përcaktuan zonat me rrezik të lartë, të mesëm dhe të ulët për pluralizmin mediatik. Në rrezik të lartë janë përqendrimi i audiencës së medias, tregu, pronësia ndërmjet mediave (duke treguar një pjesë të madhe të pronarëve të paktë) dhe çekuilibri gjinor në industri.

Të dhënat e mbledhura tregojnë gjithashtu se mediat maqedonase më me ndikim drejtohen kryesisht nga burra për të cilët biznesi mediatik është shpesh punë anësore.

Gjetjet dhe konteksti pasqyrojnë edhe skenën mediatike në Maqedoni, ku vërehen pika kyçe – mungesa e të dhënave objektive dhe relevante për audiencën, pastaj problemet në funksionimin e mediave online dhe detyrimi i mediave që të varen nga subvencionet.

“Çdo qytetar ka të drejtë të dijë se kush qëndron pas lajmeve që konsumon, kush formon agjendën dhe të vendosë se cili burim është i rëndësishëm dhe cili jo”. Kjo nuk do të thotë që çdo pronar ndërhyn në lajme, dhe se kjo ndodh gjatë gjithë kohës, por është e nevojshme që (pronësia) të jetë e qartë dhe transparente, në mënyrë që qytetari të kuptojë kontekstin e përgjithshëm”, tha ambasadori evropian David Geer në prezantimin e djeshëm.

Në diskutimin në fjalë morën pjesë Olaf Steinfat, drejtor i GMR, Snezhana Tërpevska, bashkëthemeluese e Institutit Resis dhe eksperte për media, Dragan Sekulovski, drejtor i Asociacionit të Gazetarëve të Maqedonisë dhe Magdalena Dovleva, nga Agjencia për Audio dhe Shërbimet Audiovizive, nga ku monitorojnë rregullisht pronësinë e medias.

Ata folën për problemet kryesore me të cilat ballafaqohet industria mediatike në Maqedoni, ndryshimet ligjore që do të rikthejnë reklamat shtetërore në media, subvencionet për mediat e shkruara, si dhe dilemat rreth rregullimit të paralajmëruar të mediave online.

MPM është iniciuar dhe organizuar nga seksioni gjerman i Reporterëve pa Kufij, qëllimi i të cilit është të mbrojë lirinë e medias dhe të drejtën për të informuar dhe për t’u informuar kudo në botë.