U normalizua gjendja nëpër pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut

Policia e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar se në orët e pasdites është normalizuar sistemi për kalimet kufitare nëpër gjithë pikat e Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.

“Për shkak të problemeve teknike gjatë ditës së sotme ka pasur një pengesë të vogël në sistemin e kontrolleve kufitare në disa kalime kufitare drejt Kosovës, Serbisë dhe Shqipërisë”, raporton Policia e Maqedonisë së Veriut.

Policia sqaroi që gjatë kësaj periudhë është përdorur regjistrimi alternativ.

“Në asnjë moment nuk është kthyer sistemi i vjetër i kontrolleve në kalimet kufitare, aty ku tashmë është kthyer në funksion sistemi One Stop”, sqaroi Policia.

Ndryshe, Qendra për Menaxhim Kufitar në Kosovë kishte raportuar gjatë ditë se për shkak pengesave teknike kalimet kufitare, autoritetet maqedonase mekanikisht kanë kryer regjistrimin, për çka është kthyer kontrolli i dyfishtë.

Për shkak problemeve në pikat kufitare, janë krijuar kolona të gjata sot edhe kalimin kufitar me Shqipërinë në Qafë Thanë.