U nda çmimi shtetëror “11 Tetori” për vitin 2025, Teuta Ajdini-Jegeni mes laureatëve
Me rastin 11 Tetorit, Ditës së Kryengritjes Popullore, sot në Sallën e Kristaltë të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, u nda çmimi shtetëror “11 Tetori” për vitin 2025, ku në mesin e fituesve është edhe aktorja Teuta Ajdini-Jegeni, shkruan Portalb.mk.
Në fushën e artit u zgjodh Teuta Ajdini-Jegeni, Letka Dimovska dhe Ivo Jankoski, ndërsa në fushën e shkencës dhe arsimit Konstantin Dimitrov dhe Gligor Jovanovski.

Aktorja Teuta Ajdini-Jegeni për Portalb.mk tha se ky çmim erdhi në kohën e duhur, sepse një artisti i duhet kohë për ti dhënë publikut vlera një kohë më të gjatë dhe ta meriton sinqerisht.
“Ky çmim erdhi në kohën e duhur, sepse një artisti i duhet kohë për ti dhënë publikut vlera një kohë më të gjatë dhe ta meriton sinqerisht, për të mos i dhënë hapësirë të gjykohet. Profesioni im si aktore është profesion i cili bëhet për artëdashasit dhe është gjithçka transparente përballë sy me sy me publikun, dhe kam ndjesinë se gjithmonë është vlerësuar. Ndjehem shumë e lumtur për këtë çmim. Vetë çmimi ka peshë dhe shumë përgjegjësi për mua. Aktrimi si profesion nuk ka moshë të limituar, vullneti dhe dëshira për të qenë prezente në skenë për mua gjithnjë edhe më shumë shtohet, prandaj them se edhe përgjegjësia rritet me angazhimet e mija duke qenë e vlerësuar me këtë çmim shtetërorë. Mendoj edhe vlerësimi im për një kontribut të gjatë në teatër, është pasqyrë e një ndryshimi ndaj artistëve shqiptar …Prandaj këtë çmim u’a dedikoj të gjithë artistëve shqiptar të cilët e kanë merituar dhe nuk kanë arritur që ta marrin”, tha Teuta Ajdini-Jegeni.
Ky çmim shtetëror jepet për kontributin e individëve në fushën e shkencës, artit, biznesit dhe veprimtarive tjera në interes të publikut në Maqedoninë e Veriut. Çmimi shtetëror “11 Tetori” u dha për herë të parë në vitin 1995.
