Shkruan: Ardit Ramadani
Tradhtar, vasal e zagar, ka ca javë që i quajnë çdo qytetar që guxon, në fushatë për zgjedhje lokale, t’u kërkojë kandidatëve ujë të pijshëm, kanalizim e rrugë pa gropa. E, nëse këto s’janë plotësuar më herët, kurse tash s’na lejohet as t’i përmendim – si t’ia bëjmë?
“Mu s’më duhet asfalt, do të eci nëpër lloç siç kam ecë, por veç me kryen tërma do eci, sepse lloçi fshihet,” tha një burrë në një prej tubimeve elektorale.
Krejt duartrokitën, ndërsa mbi një mijë e pesëqind njerëz e pëlqyen videon në internet. Thuajse kishte thënë diçka shkencore, ndonjë teori revolucionare për zhvillim, e jo një frazë skandaloze që shet varfërinë si krenari.
Sakrifikohu! Në kohëra të mira do pijmë ujë. Vozit në rrugë me gropa e thith ajër kancerogjen, tash kemi punë tjera për të kryer! Përditë, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejt apo indirekte, qytetarëve u thuhet kjo.
…Kush kërkon, tradhton!
Kjo pasi kur bagazhin s’e kanë të mbushun’ me punë që mund t’i prekin qytetarët, i prekin me emocion. Kur s’ia del t’i ushqesh me kandidat profesionist, i ushqen me poezi; kur s’ke ç’t’u tregosh, u këndon!
Sot, reflektorët e turpit me çdo kusht tentojnë t’i kthejnë nga ata që kërkojnë ujë, e jo te ata që na lanë pa ujë. E ti guxo e kërko, se si Krishtin në shesh kanë me të gozhdu, nën tingujt e duartrokitjeve të analistëve që tanë ditën për fatin e shqiptarëve “qajnë”, ndërsa natën ngrohin gotat me ata që na lanë pa ujë, pa dritë e pa turp.
Ata që sot, gjithë ditën, predikojnë se është patriotizëm të mos kërkosh “luks”, natën numërojnë metrat katrorë të qendrave tregtare që i posedojnë. Të pasurit e sistemit sot janë vetëshpallur ambasadorë të durimit e rezistencës. Hajde de!
Jo, varfëria s’asht dhe nuk do jetë kurrë virtyt. As nder. As moral.
Varfëria është padrejtësi, dhe ai që ta shet si vlerë, ta vjedh si të drejtë.
Këto zgjedhje lokale njerëzve duhet t’u thuhet se po, flamuri e kombi janë të rëndësishme por s’ka “kauzë kombëtare” që e shlyen faktin se njerëzit meritojnë ujë, dritë e rrugë. Sot, dinjitet kanë ata që kërkojnë, jo ata që durojnë, sepse “lloqi” s’shlyhet me poezi.
Pyetjes, ‘pse s’flisni për tema të mëdha?’,
përgjigjuni me
‘sepse ende s’i keni mbyllur të voglat’.
Po, shumë peshë kanë temat si integrimi e drejtësia, por s’ka asgjë më qytetare, më evropiane e më zhvillimore se sa qytetarët që në zgjedhje lokale kërkojnë ujë, kanalizim e ndriçim.
Popull i dashtun,
Kasamin, pyteni a do e rregullojë kaosin urban?
Limanin, a do mbyllet deponia rusino?
Sejdiun, si do e shlyeje borxhin komunal?
Ndërsa Ramadanin, a do ketë Saraji ujë të pijshëm?
Kushdo që këto kërkesa si dhe kërkesën për asfalt e quan tradhti, vetëm tregon sa thellë është rrënjosur romantizimi i varfërisë.
Për fund, sot qytetarin nga i nënshtruari e dallon vetëm një gjë; guximi për të kërkuar ujë, dritë e asfalt.