U nda Çmimi Ismail Kadare 2025, fitues dramaturgu Armand Bora me veprën “Ata që mbijetuan”

Sot në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës, u zhvillua ceremonia e akordimit të Çmimit Kadare, për fituesin e 2025-ës. Autori Armand Bora dhe triptiku me drama “Ata që mbijetuan” u shpallën fitues të edicionit të njëmbëdhjetë, mes 40 dorëshkrimeve që morën pjesë në garë, transmeton Portalb.mk.

Juria, e përbërë nga tre fituesit mëparshëm të këtij çmimi, Vera Bekteshi, Loer Kume dhe Dionis Prifti, vlerësuan veprën e Borës për risitë stilistikore dhe vlerat e qëndrueshme estetike, i cili me anë të ndërtimit të personazheve autentikë, sjell evokimin e së kaluarës, duke përcjellë mesazhe në realitetin e sotëm.

Armand Bora për Portalb.mk tha se për vetë problemet që ka drama shqipe, ky çmim vjen si një thirrje për më shumë vëmendje ndaj dramës kombëtare.

“Çmimi Letrar Kadare është një nga çmimet më të rëndësishëm, që jepet nga UETPRESS në partneritet me Institutin Liberal të Tiranës-Pashko dhe Universitetin Europian të Tiranës. Së pari, këtë çmim e bën të rëndësishëm emri i shkrimtarit Ismail Kadare. Me një histori të gjatë suksesi, tashmë prej 11 vitesh që organizohet, këtë çmim e kanë fituar shkrimtarë të njohur nga të gjitha trevat shqiptare. Ajo që e bën këtë çmim shumë të rëndësishëm është se këtë vit juria vendosi të shpallë si fitues një triptik veprash skenike. Për herë të parë ky çmim tregon vëmendje për teatrin dhe dramaturgjinë kombëtare. Për vetë problemet që ka drama shqipe ky çmim vjen si një thirrje për më shumë vëmendje ndaj dramës kombëtare”, tha Bora.

“Ata hyjnë pa trokitur”, “Udha e qumështit” dhe “Domino në burgator”, të cilat autori përmbledh nën titullin “Ata që mbijetuan”, trajton terrorin psikologjik që jetonin njerëzit e zakonshëm, nën diktatin e përndjekjes dhe dhunë së regjimit komunist. “Ata që mbijetuan” bëhet e para dramë fituese në historikun e Çmimit Kadare, i cili jepet për veprën më të mirë në prozë në gjuhën shqipe.

Ai gjithashtu shtoi se ky çmim ia shton përgjegjësitë.

“Patjetër që fitimi i këtij çmimi e shton përgjegjësinë time që krahas punës si regjisor në teatër të vazhdoj të kontribuoj në mënyrë modeste edhe si dramaturg pasi e shikoj si të vetmen rrugë për të ndihmuar në tejkalimin e kësaj situate jo shumë pozitive që po kalon drama shqipe”, tha Bora.