U lëshuan në përdorim edhe 17 kilometra të autostradës Kërçovë-Ohër e cila zvarritet me vite
Nga sot u lëshuan në përdorim segmenti i autostradës Kërçovë – Ohër nga Klimishta drejt Ohrit, me gjatësi prej 17 kilometrave, transmeton Portalb.mk.
Që ky projekt është simbol i gjërave të bllokuara dhe të papërfunduara e pranoi edhe kryeministri Hristijan Mickoski.
“Autostrada Kërçovë–Ohër ka rëndësi strategjike për vendin tonë. Ajo është arteria kryesore që lidh jugperëndimin e Maqedonisë me pjesën tjetër të shtetit dhe me Ohërin… Brenda vetëm një viti e gjysmë kemi vënë në përdorim: Aksin Gradsko–Farish prej 25,7 kilometrash; Aksin Stracin–Kriva Pallankë prej 25,5 kilometrash; Aksin Vërbjan–Botun prej rreth 20 kilometrash”, tha Mickoski.
Autostrada Kërçovë – Ohër, e cila është në ndërtim e sipër për 11 vjet dhe fillimisht duhej të vihej në funksion në qershor të vitit 2018, është 57 kilometra e gjatë dhe ndërtimi deri më tani ka kushtuar pothuajse 600 milionë euro.
Më 14 korrik 2025, kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se kredia për përfundimin e autostradët Kërçovë – Ohër do të rritet.
Më 13 korrik 2025, u lëshuan në përdorim 20 kilometra të autostradës Kërçovë-Ohër edhe atë, nga fshati Vrbjani drejt Ohrit deri në fshatin Botun.
Më 1 prill 2025, afati për ndërtimin e autostradës Kërçovë-Ohër u zgjat edhe për tre vjet.
Ndërtimi i autostradës Kërçovë – Ohër filloi në shkurt të vitit 2014 dhe nga kompania kineze “Sinohydro”. Gjatësia e trasës është 57 kilometra, ndërsa vlera fillestare e kontratës ishte 373 milionë euro. Afati fillestar për përfundim ishte qershori i vitit 2018, por punimet janë shtyrë disa herë për shkak të problemeve serioze inxhinierike, juridike dhe administrative. Pikërisht për shkak të këtyre problemeve, çmimi është rritur dhe tani arrin mbi 600 milionë euro.
Pse nuk ua shohim fundin ndërtimeve?
Kujtojmë se Prokuroria Speciale Publike në maj të vitit 2017, ngriti procedurë gjyqësore në rastin e njohur si “Trajektorja” për larje parash dhe të shkeljeve gjatë procedurës së përzgjedhjes së kompanisë për ndërtimin e autostradës me kompaninë kineze “Sinohydro”.
Në këtë rast u akuzuan zyrtarët më të lartë të qeverisë së atëhershme, kryeministri Nikolla Gruevski, zëvendëskryeministri Vladimir Peshevski, ministri i Transportit Mile Janakieski, dhe drejtori i atëhershëm i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore, Ljupço Georgievski.
Sipas aktakuzës së PSP-së, të lartpërmendurit, në gjysmën e dytë të vitit 2012 dhe në vitin 2013 kanë ndërmarrë aktivitete për zgjedhjen e një ndërmarrje për ndërtim të autostradës Milladinovc – Shtip – Kërçovë – Ohër, dhe i kanë shfrytëzuar dhe tejkaluar autorizimet e tyre. Sipas aktakuzës, thuhet se ata e kanë dëmtuar buxhetin shtetëror për 155 milionë euro.
Por, me ndryshimet në Kodin Penal kjo lëndë u vjetërsua, ndaj dhe të pandehurit nuk do të mbajnë përgjegjësi.
„Trajektorja“ – Miliona provizione nga kinezët kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve qeveritar