U lëshua në përdorim asistentja digjitale “Ada”: Flet në 3 gjuhë, përgjigjet në 260 pyetje
Sot edhe zyrtarisht u prezantua asistentja e parë digjitale e bazuar në inteligjencë artificiale “Ada”, e cila do të flet në tre gjuhë dhe do t’u ndihmojë qytetarëve, por më së shumti bizneseve të huaja të cilat janë të interesuara për të investuar në vendin tonë, njofton Portalb.mk.
Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot me zëvendëskryetarin e Qeverisë, Përgjegjës për Çështjet Ekonomike, Fatmir Bytyqi, ministrin për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Azir Aliu dhe drejtori i Fondit të Investimeve dhe Zhvillimit Teknologjik, Festim Halili, sot morën pjesë në prezantimin e “Ada-s”, i cili është dizajnuar për nevojat e programeve të ndihmës shtetërore.
“Ada i ofron të gjitha informacionet për mbështetje financiare nga shteti dhe do të përmirësohet me shërbime të tjera të rëndësishme për sektorin e biznesit dhe qytetarët. Nëpërmjet kësaj do të ndikojmë në rritjen e transparencës së të gjitha institucioneve, por edhe në uljen e korrupsionit dhe eliminimin e faktorit njerëzor në procese”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Gjatë prezantimit, përfaqësuesi nga kompania “Kodvell”, të cilët e kanë punuar dhe asistenten digjitale, njoftuan se Ada momentalisht flet në shqip, maqedonisht dhe anglisht dhe mund t’u përgjigjet 260 pyetjeve. Të interesuarit mund të komunikojnë nëpërmjet chatit, të cilin mund ta gjejnë në ueb-faqen ada.gov.mk. Ai do të jetë i qasshëm edhe në viber, Facebook-messanger, por edhe në ueb-faqet e institucioneve.
Një prej roleve kryesore është promovimi i Maqedonisë së Veriut si vend i përshtatshëm për investim, kështu Ada do të mund t’i informojë investitorët e huaj potencial për eko-sistemin në shtetin tonë, kushtet që ofrohen, programet, t’i njoftojë me benefitet në zonat industriale në lidhje me atë se çfarë do të fitonin me investimin në vendin tonë, me qëllim që t’i shtyjë të marrin vendim pozitiv në lidhje me investimin në shtetin tonë.
“Asistenti digjital është i njëjtë sikur të keni qasje të drejtpërdrejtë te punëtori më i mirë në sportel i cili është i qasshëm 24/7. E keni në kontakt në chat-aplikacionin dhe mund të ju shërbejë me gjithçka që ju intereson në lidhje me institucionin, në kuadër të njohurive të saja. Potenciali i ADA-s është shumë i madh, por ky është vetëm një fillim modest. Faza e parë e ADA-s është që të sigurojë të gjitha informatat për investitorët potencial të huaj për mekanizmat investues dhe programet që realizohen nëpërmjet këtyre Qeverisë, Fondit Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT), Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale (DZZHTI) dhe Invest North Macedonia”, tha Nino Karas nga Kodvell.
Ada do të mundësojë kompanive të interesuara, qytetarëve dhe investitorëve potencial të huaj t’i marrin të gjitha informatat në lidhje me ndihmën shtetërore dhe të gjitha pyetjet që i kanë dhe lidhen me këtë tematikë.
“Plotësisht Ada mund të sigurojë hap pas hapi asistim gjatë procesit për aplikim për thirrje të publikuar. Pra, nëse kemi ndonjë start-up kompani ose investitor të huaj që është i interesuar për të investuar për ndonjë program ose masë të Qeverisë për investime Ada mundet që të kontrollojë se cilat thirrje janë aktive – t’i japë listë me thirrje aktive të cilat janë përkatëse për atë, ta njoftojë me të gjitha kushtet e thirrjes. T’i japë informata se deri kur janë thirrjet, deri kur mund të aplikohet, por edhe t’i tregojë për dokumentacionin e plotë të nevojshëm për aplikim, përfshirë edhe ndihmë për atë se si të dërgojë, ku ta dorëzojë në mënyrë elektronike atë dokumentacion”, tha Karas.
Ada, sipas kompanisë, shkon edhe një hap më tej për start-up kompanitë që janë të interesuara që të aplikojnë në ndonjë thirrje, Ada ofron asistencë hap pas hapi gjatë kontrollit të përshtatshmërisë së kompanisë për atë thirrje.
“Kjo është diçka e rëndësishme pasi që, çdo thirrje ka kushtet e saja, ndonjëherë lista është e madhe dhe madje e komplikuar për shfrytëzues mesatar të mundet ta kuptojë dhe lidh. Megjithatë, nëpërmjet bisedës me Adan, shfrytëzuesit do të munden thjeshtë të njoftohen se cilat janë kushtet, gjatë bisedës ta pyesin dhe më pas Ada t’u përgjigjet nëse janë ose jo të përshtatshëm për atë program dhe atë thirrje që të dinë nëse duhet të aplikojnë. Por, Ada ka edhe sistem të avancuar notifikues, kështu që nëse ndonjëherë kompanitë janë interesuar për ndonjë thirrje, Ada ka mundësi që t’i njoftojë në mënyrë proaktive, për thirrje të reja, programe apo ngjarje të reja të cila ndodhin e që mund të jenë në interes të tyre, nëpërmjet dërgimit të porosive në aplikacionin chat”, thanë nga kompania gjatë prezantimit.
Ada, përveç njoftimit dhe përgjigjes ndaj të gjitha pyetjeve, ka mundësi të rekomandojë mbështetje të personalizuar financiare për investitorët e huaj të interesuar, bazuar në masat që janë të qasshme në shtetin tonë.
“Për këtë, kemi ndërtuar makineri të avancuar e cila mundëson që të gjitha masat dhe thirrjet aktive që janë të qasshme dhe të gjitha kushtet të cilat shumë shpesh shfuqizohen dhe kufizimet, të thjeshtëzohet dhe të marrë raport konkret se për cilat masa është e favorshme kompanie e tij, bazuar në nevojat e tyre të biznesit – pra cilat janë benefitet prej zonave industriale, cilat masa mund t’i aktivizojë bazuar në natyrën e biznesit të tij, madhësisë së investimit e kështu me radhë”, thanë nga kompania.
Ky raport, zyrtarisht dërgohet në e-mail adresën dhe më vonë mund të shfrytëzohet si hap i parë në procesin e bisedimeve dhe mbylljen e atë investimit në shtetin tonë.
Ada nga ana tjetër, deri te Qeveria dërgon njoftim në të cilën janë të kyçura të gjitha informatat në lidhje me investitorin, biznesin e tij dhe masat që kompania është e favorshme. Njëkohësish dërgohen edhe kontakt-informata që të procesuohet dhe ai investitor potencial të bëhet investitor.
Paraprakisht, Poratalb.mk njoftoi se investitorët dhe qytetarët do të mund të marrin informata në lidhje me programet e ndihmës shtetërore të Qeverisë së RMV-së nëpërmjet asistentit të parë digjital “ADA” i cili është i bazuar në inteligjencë artificiale.
Frymëzim për dizajnimin e këtij mjeti është Ada Lovlejs, e cila konsiderohet si programuese e parë në botë.
Ndryshe, dalja e robotit Chat GPT i cili ka aftësi për të biseduar ngjashëm si njeriu me një shkallë të lartë rrjedhshmërie dhe koherence, ka rikthyer vëmendjen e botës për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shërbim të njeriut, por edhe rreziqet e mundshme që mund t’i sjellë ajo.
Portalb.mk, paraprakisht shkruajti se përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) në mungesë të strategjisë apo rregullimit, qytetarët i ekspozon në rrezik nga keqpërdorimet e mundshme. RMV ka formuar grup punues për Strategjinë Nacionale për Inteligjencë Artificiale, por prej vitit 2021, i njëjti ka mbajtur vetëm një mbledhje.
Sipas ekspertëve, përdorim i inteligjencës artificiale në institucionet shtetërore do të ndihmonte në rritjen e cilësisë së shërbimeve, kursimit të kohës dhe parave të qytetarëve, por rrjedhimisht edhe do të parandalonte korrupsionin. Megjithatë, nëse IA përdoret në mënyrë jotransparente, pasojat janë edhe më të mëdha se përfitimet.
- LEXO: Përdorimi i inteligjencës artificiale pa strategji, i ekspozon qytetarët në rrezik, RMV askund me procedurën
- LEXO: RMV, përdorimi i inteligjencës artificiale në institucionet shtetërore është i dobishëm, por edhe më i rrezikshëm nëse keqpërdoret
- LEXO: Portalb intervistoi robotin me inteligjencë artificiale “Chat GPT”, na u drejtua dhe na thuri poezi në gjuhën shqipe!
- LEXO: Inteligjenca artificiale mund t’i ndihmojë njerëzit, por edhe ta cenojë privatësinë e tyre