“ADA”, asistenti digjital i bazuar në inteligjencë artificiale që do t’u japë informata qytetarëve të RMV-së për ndihmat shtetërore

Investitorët dhe qytetarët do të mund të marrin informata në lidhje me programet e ndihmës shtetërore të Qeverisë së RMV-së nëpërmjet asistentit të parë digjital “ADA” i cili është i bazuar në inteligjencë artificiale. Kështu thonë nga Zyra e zëvendëskryeministrit për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi dhe Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT), pasi në shkurt të këtij viti u bë prezantimi i këtij asistentit digjital në seancë qeveritare. Institucionet tregojnë detaje në lidhje me pyetjet e Portalb.mk për detajet se kush e ka krijuar këtë asistent digjital, si do të funksionojë apo çfarë shërbime do të ofrojë, shkruan Portalb.mk.

“ADA” do të jetë në dispozicion të qytetarëve dhe investitorëve të huaj të interesuar 24/7 dhe do të mund t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve më të shpeshta në lidhje me programet e ndihmës shtetërore të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë këtij viti pritet që asistenti digjital të instalohet në faqen e Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, për të cilin publiku do të informohet me kohë”, thonë për Portalb.mk nga FIZHT.

Nga Kabineti i zëvendëskryeministrit Bytyqi, konfirmuan për Portalb.mk se momentalisht asnjë institucion në RMV nuk përdor inteligjencë aritificiale. Në lidhje me ADA-n, ata shpjegojnë se në fazën e parë do të ofrojë shërbime për investitorët.

“ADA, në fazën e parë, do të ofrojë shërbime në pjesën e ndihmës shtetërore, respektivisht do t’u përgjigjet pyetjeve të investitorëve të interesuar në lidhje me realizimin e tyre për planet investuese në vendin tonë, çfarë lloji dhe vëllimi i ndihmës shtetërore ofrohet nëpërmjet programeve të Qeverisë. Megjithatë, do të grumbullojë të dhëna vetëm për parametrat e projekteve investuese të subjekteve që zgjedhin t’i ndajnë me asistentin virtual”, thonë nga Zyra e Bytyqit.

Sipas tyre, ka shumë përparësi, por s’ka asnjë rrezik nga përdorimi i ADA-s.

“Përparësitë janë qasja e shpejtë dhe i hapur në informacione, ndarja e unifikuar e mundësive të investimit, kursimi i kohës dhe burimeve, etj. Nga aspekti i ofruesit të informacioneve, nuk ka asnjë rrezik sepse bëhet fjalë për informacione dhe të dhëna që tashmë janë në dispozicion për opinionin publik. Nga aspekti i përdoruesve të shërbimit, gjithashtu nuk ka asnjë rrezik sepse ata ndajnë informacione bazë për planet e tyre që janë grumbulluar në një bazë të dhënash që menaxhohet dhe monitorohet nga njerëz të institucioneve, të cilët çdo ditë punojnë me investitorë potencialë”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Bytyqit.

Frymëzim për dizajnimin e këtij mjeti është Ada Lovlejs, e cila konsiderohet si programuese e parë në botë. Sipas shpjegimit të Qeverisë, në të ardhmen, asistenti digjital “ADA” do të jetë pika kryesore e kontaktit për shërbimet e qytetarëve, e cila do të digjitalizohet plotësisht.

Ndryshe, dalja e robotit Chat GPT i cili ka aftësi për të biseduar ngjashëm si njeriu me një shkallë të lartë rrjedhshmërie dhe koherence, ka rikthyer vëmendjen e botës për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në shërbim të njeriut, por edhe rreziqet e mundshme që mund t’i sjellë ajo.

Portalb.mk, paraprakisht shkruajti se përdorimi i inteligjencës artificiale (IA) në mungesë të strategjisë apo rregullimit, qytetarët i ekspozon në rrezik nga keqpërdorimet e mundshme. RMV ka formuar grup punues për Strategjinë Nacionale për Inteligjencë Artificiale, por prej vitit 2021, i njëjti ka mbajtur vetëm një mbledhje.

Sipas ekspertëve, përdorim i inteligjencës artificiale në institucionet shtetërore do të ndihmonte në rritjen e cilësisë së shërbimeve, kursimit të kohës dhe parave të qytetarëve, por rrjedhimisht edhe do të parandalonte korrupsionin. Megjithatë, nëse IA përdoret në mënyrë jotransparente, pasojat janë edhe më të mëdha se përfitimet.

Kjo storje hulumtuese është përgatitur si pjesë e projektit “Rritja e Pjesëmarrjes së Qytetarëve në Agjendën Digjitale – ICEDA”, i bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga Fondacioni Metamorfozis (Maqedonia e Veriut), Akademia për e-Qeverisje (Estoni), Lëvizja Mjaft! (Shqipëri), Partnerët për Ndryshime Demokratike Serbi (Serbi), OJQ-ja 35 mm (Mali i Zi) dhe “Open Data Kosovo” (Kosovë).

Kjo storje hulumtuese është përgatitur me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj storjeje hulumtuese është përgjegjësi e vetme e Fondacionit Metamorfozis dhe e autorëve dhe në asnjë mënyrë nuk i pasqyron qëndrimet e Bashkimit Evropian.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button