U kërcënua gazetari i Maqedonisë së Veriut përmes rrjeteve sociale, reagoi SHGM-ja
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar në lidhje me kërcënimet që janë bërë në drejtim të gazetarit të Televizionit Kanal 5. Në lidhje me këtë rast është njoftuar edhe Policia, transmeton Portalb.mk.
“Mesazhet me përmbajtje fyese, shoviniste dhe urrejtjeje, si dhe kërcënimet direkte për jetën (“vdekje për ju”), përbëjnë shkelje serioze të të drejtës për lirinë e shprehjes dhe kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e gazetarëve. Këto sulme kanë për qëllim ushtrimin e presionit dhe frikësimin për shkak të raportimit profesional mbi çështje me interes publik”, raportoi SHGM-ja.
Ata kanë reaguar pasi u sulmua dhe u fye gazetari i Televizionit Kanal 5, Aleksandar Vidinovski, i cili u sulmua pasi publikoi pamje si parkohen gabimisht veturat para objektit të Ambasadës së Bullgarisë në Shkup.