U hap ekspozita “Ajo që ia thotë këngës…”, në fokus trashëgimia dhe tradita
Galeria Kombëtare e Kosovës dje ka hapur dyert për Ekspozitën e 17-të Ndërkombëtare të Fotografisë dhe Imazhit Lëvizës Gjon Mili, e cila këtë vit mban titullin “Ajo që ia thotë këngës…”. Në këtë ekspozitë kuratorja Valentine Umansky, solli përzgjedhje të veprave nga 23 artistë, kryesisht nga Ballkani, që eksplorojnë lidhjen mes traditës, gjinive dhe artit bashkëkohor, transmeton Portalb.mk.
Nga faqja zyrtare e Galerisë Kombëtare të Kosovës bëjnë të ditur se koncepti i ekspozitës është frymëzuar nga tepsia, praktikë muzikore tradicionale me rrënjë në Kosovë, e performuar kryesisht nga gratë. Kjo formë unike kombinon meloditë vokale me rrotullimin ritmik të tepsisë. Këtu, tepsia bëhet metaforë e gjesteve të trashëguara-që janë përcjellur prej nënës tek e bija-që lidhin gjeneratat me brezat e kaluar. E përqendruar në një këngëtare të panjohur, ekspozita eksploron traditat gjinore dhe përmbysjen e tyre të vazhdueshme duke shqyrtuar fotografinë, imazhet lëvizëse dhe praktikat zanore aq të fuqishme për nga mediumi si dhe arkivat e narrativeve të brezave të ndryshëm.

Ekspozita i bën homazh filmbërëses Trinh T. Minh-ha e cila në Grua, Vendase, Tjetra e përshkruan diseuse-tregimtaren, perëndeshën mitologjike, gruan griotte, fallxhoren-si dikë, të vërtetat e së cilës i shpalos koha. “Po pate durimin të dëgjosh, ajo do të gjejë kënaqësi duke folur për juve.” Veprat në ekspozitën …Ajo që ia thotë Këngës… mishërojnë këto arketipe, duke ftuar publikun të lidhen më thellë me historitë e paraardhësve të cilat na i kanë treguar gjyshet.

Në ekspozitë marrin pjesë artistët: Ivana Basiç, Kristina Benjocki, Semâ Bekirović, Angela Blazhanoviç, Zheljka Blakshiç, Vera Hadzhiyska, Majlinda Hoxha, Astrit Ismaili, Saodat Ismailova, Shejla Kameriç, Lebohang Kganye, Ana Likar, Glorija Lizde, Maria Mavropoulou, Klodiana Millona & Endi Tupja, Joanna Piotroëska, Stanislava Pinchuk, Iva Radivojeviç, Lala Rashçiç, Simon Shiroka, Huda Takriti, dhe Clarissa Tossin.
Ekspozita tani është e hapur për publikun dhe mund ta vizitoni deri me 30 mars, 2025.
Gjon Mili nga Korça ishte fotograf me famë botërore. Ai ishte fotograf i Pablo Pikasos, Marlon Brandos, Sofia Lorenit, Zhan Pol Sartrit, Frenk Sinatrës etj. Për fat të keq, shqiptarët nuk e njohën dhe nuk i përjetuan dot as famën e tij për shkak të izolimit që diktatura komuniste i bëri vendit nga Perëndimi gjatë atyre viteve. Por, kush ishte Gjon Mili? Ai u lind në “qytetin e serenatave”, Korçë, në vitin 1904, dhe vdiq në moshën 79-vjeçare (1984). Formimi intelektual nuk i mungoi asnjë çast. Mësimet e para ai i mori në Rumani. Kur ishte 19 vjeç u nis drejt Amerikës. U diplomua në Institutin e Teknologjisë së Masaçutesit si inxhinier ndriçimi, por gjatë kësaj kohe ai u mor edhe me artin fotografik, i shtyrë nga Faik Konica, me të cilin kishte miqësi. Në vitin 1937 Mili merr titullin “Profesor”. Më pas ai do të lëvrojë me sukses shumë zhanre të fotografisë, si portretin, peizazhin, reklamën, foton dokumentare, politike, atë të arteve etj. Ekspozitën e parë vetjake Mili e ka hapur më 1934-n, ndërsa të fundit, më të zgjedhurat e gjithë krijimtarisë, me 140 foto, në vitin 1980 në Nju Jork, me rastin e 75-vjetorit të lindjes.

Gjon Mili hyn në elitën e fotografëve botërorë, mes 100 profesionistëve më të mirë të kësaj fushe për shekullin e kaluar dhe ka lënë në albumin e 500 fotografive më të mira të botës disa fotografi. Njëra nga këto fotografi është i famshmi Pikaso që vizaton centaurin me dritë. Sipas fotografit Roland Tasho, e veçanta e Milit është që përveçse mjeshtër i fotografisë, ai konsiderohet edhe si shpikës i fotografisë troposkopike (fotografisë në lëvizje). Duke qenë inxhinier elektrik, ai njihte shumë mirë dritën dhe bazohej mbi të dhe jo tek aparati fotografik. Në zhanret e fotografisë që lëvroi Mili përmenden; portreti, peizazhi, reklama, fotot dokumentare, politike, fotot në fusha në ndryshme të artit etj. Por momenti që bëri më shumë bujë në jetën e tij artistike ishte ai i vitit 1942. Kishte studiuar dhe kuptuar se mund të arrinte diçka që s’ishte bërë deri atëherë. Gjon Mili arriti të fotografojë predhën e një topi avioni kalibër 37 mm, ndërsa dilte nga gryka e topit, me një kohë ekspozimi prej një të miliontën pjesë të sekondës. Ishte një foto e bujshme. U botua në shumë gazeta të mëdha të kohës, dhe komentet e shtypit ishin “shpikja e shekullit”.