U certifikua rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit, u hap rruga për formimin e institucioneve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet e zgjedhjeve të 28 dhjetorit, raporton Koha.net. Vendimi i KQZ-së, u mor pas refuzimit të të gjitha ankesave nga Gjykata Supreme.

Në mbledhjen e mbajtur pasditen e së hënës, kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se vendimet e Supremes nuk kanë bërë ndonjë ndryshim në rezultat.

“Do ta hedh në votim certifikimin e këtij rezultati. Me 11 vota për certifikohet rezultati i zgjedhjeve të parakohshme të zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor 2025”, tha Radoniqi.

Edhe pse votuan për certifikimin e rezultateve, përfshirë edhe atë të Listës Serbe, anëtarët e KQZ-së, shprehën rezerva e kërkuan veprime nga institucionet e drejtësisë.

“Me gjitha rezervat të cilat i kemi pas për LS i kemi dhe do t’i kemi”, tha anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi.

“Jo vetëm ndaj Listës Serbe….kërkojmë prej organeve të drejtësisë që të veprojnë në këtë aspekt me të gjitha veprimet që i kanë dhe t`i ndjekin secilin veç e veç e këto raste të mos vijnë të servohen në tavolinat e mbledhjeve të KQZ-së”, tha anëtari i PDK-së në KQZ, Arianit Elshani.

Sipas rezultateve tashmë të certifikuara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 57 mandate në Kuvend, PDK-ja 22, LDK-ja 15, AAK-ja 6, ndërsa komunitete jo shumicë  i kanë të garantuara 20 ulëset e tjera.

Mbledhja e KQZ-së u mbajt rreth tri orë pasi Gjykata Supreme refuzoi ankesat ndaj vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.

Supremja në shqyrtim kishte gjashtë ankesa. Në mesin e tyre edhe dy të kandidatit për deputet të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Ankesa e Haxhiut, për rreth 20 mijë pako të ardhura nga jashtë pas afatit të përcaktuar, u refuzua me arsyetimin se për pranimin e votave ka vendosur KQZ-ja, ndaj së cilës nuk ka pasur ankesa.

Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 28 dhjetorit hap rrugën e konstituimit të Kuvendit, e të formimit të Qeverisë së re.