U botua monografia “Urtësi e Marrëzi” nga Bajrush Mjaku
Sapo ka dalur nga shtypi monografia “Urtësi e Marrëzi”(mbresa – kujtime – vlerësime) nga Bajrush Mjaku, ribotim në gjuhën shqipe si dhe botimi në gjuhën maqedonase me titull “Мudrost i lludost”, transmeton Portalb.mk.
Recenzenti i librit Stefan Çapaliku për librin në fjalë ka shkruar se në përgjithësi është një fat i madh për historinë dhe historianët e ardhshëm të teatrit dhe të kulturës së një vendi të kenë të publikuar dëshmi autentike të protogonistëve të epokës, siç është edhe rasti i aktorit të madh Bajrush Mjaku.
“E kam lexuar me kureshtje dhe mandej edhe me ëndje të madhe veprën në fjalë, më së pari prej emrit të autorit, të cilin kam pasur rastin ta njoh personalisht, si njeri i teatrit që jam dhe, më pastaj, edhe si bashkëpunëtor në realizimin e dramës sime “Allegretto Albania”, ku ai ka luajtur rolin kryesor.
Gjendet në libër jeta e teatrit brenda të gjitha konteksteve socialkulturore që kanë shoqëruar Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë, por edhe vende të tjerë të rajonit tonë që nga vitet ’70 e deri më tash. Merret vesh nga libri se në përgjithësi teatri ka qenë një pasqyrë e këtyre zhvillimeve. Shpesh një pasqyrë kristali, por shpesh edhe një pasqyrë e thyer e një banjoje publike.
Nga ana tjetër, si profesor i dramës, shpreh bindjen se libri do të jetë një ndihmesë e vyer edhe për studentët e artit dramatik, veçanarisht për ata të aktrimit, që do kenë mundësi të ndjekin për së afërmi gjurmimet estetike dhe metodologjike të mjeshtrit”, ka shkruar Stefan Çapaliku.
Aktori Bajrush Mjaku për Portalb.mk tha se me punësimin e tij si aktor në Dramën Shqiptare të asaj kohe (marsi i vitit 1973) e gjer më sot me fanatizëm të madh ka ruajtur-arkivuar çdo shkrim, apo prononcim në gazeta nga kritik të teatrit nga brenda dhe jashtë vendit, kushtuar shfaqjeve ku ka luajtur (120 shfaqje role).
“Librin e kam botuar në vitin 2018, mirëpo kishte interesim nga pala tjetër, ishin të intrigum që ta lexojnë dhe ta mësojnë se çka ka në atë libër, meqë monografinë time, përveç të gjitha kritikave që janë shkruar për punën e tij për shfaqjet që kam realizuar gjatë 40 viteve në skenë, në Teatrin Shqiptar e jashtë teatrit shqiptar.
Gjysma e librit janë shkrimet e mija që i kam shkruar apo kam bërë histori në fakt edhe te teatrit shqiptar i cili është i vetmi institucion kulturor në këtë shtet i cili nuk posedon asnjë monografi deri më sot”, tha Mjaku.
Se çka flitet në libër Mjaku theksoi:
“Në 200 faqet e para të librit kryekëput flitet për të arriturat e Teatrit Shqiptar prej viteve 73’ kur jam punësuar e deri me pensionimin tim. Meqë kishte interesim për ta përkthyer në maqedonisht aplikova në Ministri dhe më ndanë mjete financiare për ta botua atë version të librit. Nga monografia e parë që e kam botuar me 705 faqe që ka pasur libri unë e kam reduktuar dhe kam futur disa gjëra të reja, diçka që pas asaj ka ndodh, ndonjë shfaqje e imja dhe atëherë mendova t’ia bëj për karshi versionit maqedonas edhe një version të librit në gjuhën shqipe”.
Pse pikërisht e titulloi “Urtësi e Marrëzi”, Mjaku edhe më tej shtoi:
“Urtësi është ajo urtësia ime, puna ime të cilën e kam quajtur urtësi, ndërsa marrëzi është gjithçka çka ndodhe rreth meje duke i futur aty edhe ata dashkçinjët edhe ata të cilët kanë arrit që të punësohen në teatër, e të fitojnë ndonjë post të drejtorit e të punojnë kundra interesave të teatrit, që ka shumë raste të cilat unë i kam evidentuar në libër e ajo është marrëzia”.
Librin financiarisht e ndihmuan Ministria e Kulturës e RMV-së, Komuna e Çairit, Komuna e Butelit dhe MEPSO.