Në Shkup së shpejti pritet të mbahet koncerti tradicional me rastin e festës “Shën Vasili”

Opera dhe Baleti Nacional në Shkup me datë 11 dhe 13 janar 2025, duke filluar nga ora 20:00, organizon koncertin tradicional me rastin e festës “Shën Vasili” 2025, transmeton Portalb.mk.

Ky vit shënon 30 vjetorin nga mbajtja e parë e koncertit tradicional me rastin e festës e cila fillimisht u prezantua si koncept programor në vitin 1995 në skenën e OBN-së, ndërsa me kalimin e viteve u bë i njohur, i famshëm dhe një nga ngjarjet më të vizituara në vend.

Tradita do të vazhdojë edhe këtë vit, andaj publiku do ta ketë mundësinë t’i shijojë interpretimet e disa prej arieve dhe dueteve më të spikatura dhe më të njohura, nga veprat me famë botërore të kompozitorëve si Xh. Verdi, F. Çilea, Xh. Puçini, P. Maskanji, G. Doniceti dhe të tjerë.

Nën dirigjentin e mysafirit nga Spanja, Oliver Diaz, dirigjent i shquar, fitues i disa çmimeve dhe mirënjohjeve prestigjioze, së bashku me orkestrën e Operës dhe Baletit Nacional, do të performojnë mysafirët nga Spanja, Irene Palazoni, soprane dhe Hoze Luis Sola, tenor.

Afishja e koncertit me rastin e festës “Shën Vasili”. Foto:OBN
Afishja e koncertit me rastin e festës “Shën Vasili”. Foto:OBN

Irene Palazon, soprane nga Spanja, e njohur për teknikën e saj vokale ekspresive, ka karrierë që përfshin paraqitje në skenat kryesore operistike në Europë dhe njihet për tonin e saj të pastër, saktësinë teknike dhe performancën emocionale. Palazon njihet për rolet e saj në opera si “Traviata”, “Karmen” dhe vepra të tjera klasike dhe bashkëkohore. Me kalimin e kohës, ajo ndërtoi emrin e saj si një nga sopranot kryesore spanjole, duke interpretuar në disa nga teatrot më të famshëm në Spanjë dhe më gjerë.

Hoze Luis Sola është tenor i famshëm spanjoll, i cili e fillon arsimimin e tij muzikor në Escolanía Ninos Cantores de Navara, e më pas vazhdoi ta përsosë teknikën e tij të të kënduarit nën mentorimin e tenorit të famshëm Rikardo Visus. Karriera e tij përfshin interpretime në vepra të ndryshme operistike dhe simfonike ndërsa shquhet për shkathtësinë e tij në repertorin klasik dhe operistik, me fokus të veçantë në veprat e Mocartit, Donicetit, Verdit, Bizeut, Gunos e të tjerë. Sola ka performuar në skena prestigjioze dhe me orkestra të ndryshme, duke fituar vlerësime për performancat e saj të fuqishme dhe emocionuese. Ai është i njohur edhe për interpretimet e tij në botën e muzikës sakrale/e shenjtë dhe të korit, gjë që pasuron krijimtarinë e tij.

Për të gjithë ata të cilët dëshirojnë të jenë pjesë e këtij koncerti, biletat mund t’i gjeni në shitje në biletari dhe online.

Afishja e koncertit me rastin e festës “Shën Vasili”. Foto:OBN
Afishja e koncertit me rastin e festës “Shën Vasili”. Foto:OBN