U bllokua kanali i ujitjes në Tetovë: Bujqit e revoltuar, institucionet premtuan zgjidhje
Punimet për ndërtimin e shtratit të lumit Shkumbin në lagjen Dardania të Tetovës kanë bllokuar kanalin e ujitjes të tokave bujqësore, ku një pjesë e tokave kanë mbetur pa ujë për ujitje. Kjo ka revoltuar bujqit të cilët kërkojnë që ky problem të zgjidhet urgjentisht. Institucionet premtuan zgjidhje, shkruan Portalb.mk.
Bujqit thonë se nëse nuk hapet kanali, mbi 200 hektarë tokë nuk mund të ujiten.
Ata kërkojnë që ky problem të zgjidhet sepse në të kundërtën investimet që kanë bërë në toka do të ju shkojnë kot. Ata madje paralajmëruan edhe protesta dhe masa më radikale nëse institucionet nuk marrin masa.
“Te komuna kemi qenë, te Ministria e Bujqësisë kemi qenë, ata e hedhin topin herë andej e herë këndej, premtojnë shumë asgjë s’bëjnë. Nga 2017 vetë jemi mundu por me këtë gjendje as një pëllëmbë s`mund të ujitim. Bisedohet për mbi 200 hektar tokë, që mbesin të vdekura”, tha një bujk .
“Ja faturimi i pagesës së farës së patateve, më se tre ton janë të paguara nga 135 denarë vetëm fara e patates, por të ujitura nuk kanë qenë vetëm shkaku i këtyre qasjeve për ndërtimi të kreut të komunës fillimisht. Të njëjtin hall e kemi pas edhe vitet e shkuara por jemi gjendur me gurë e gjëra që të nxjerrim ujë. Këtë problem dikush duhet ta zgjidh. Këto duhet ta zgjidhin, sepse nëse nuk zgjidhet, unë për veten time, dhe familja ime duhet të na thonë të mos mbjellim në pranverë, sepse kam bë investime më shumë se 70.000 denarë”, tha një bujk tjetër.
“Ujin e kemi pengesë tani, bëjnë biznese tjera ndërsa ne bizneset e vogla s’merren parasysh. Kush është më i forti fiton. Vetëm ne si familje kemi 230 dekar me misër patate jonxhë, si familje. Më duket se në pranverë nëse nuk merret parasysh protesta do marrim valixhen”, tha një bujk.
Zgjidhje për këtë problem paralajmëroi kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami, por duke mos dhënë detaje tjera.
“Paralelisht me ndërtimin e murit do të gjejmë zgjidhje afatgjate edhe për bujqit që në këtë pjesë të lumit sigurojnë ujitjen e tokave bujqësore, si dhe problemin shumëvjeçar me kanalizimin e hapur në këtë pjesë të qytetit”, tha Kasami.
Ndërkaq zëvendës-ministri i Bujqësisë Flakron Bexheti paralajmëroi zgjidhje vitin e ardhshëm.
“Drejtoria për ekonominë e ujërave ka pasur probleme dhe vështirësi në kuadër të funksionimit të saj si drejtori andaj dhe ne si Ministri kemi ndarë mjete bashkë me ministrin që ta ndihmojmë sepse është me rëndësi për mirëmbajtjen e kanaleve të ujitjeve. Tani ka paga dhe ka filluar punët me disa punëtorë që vitin që vjen të dalin në terren dhe si drejtori të funksionojë si duhet, sepse gjithë kanalet e ujitjes varen nga mirëmbajtja e tyre andaj nëse bujqit nuk kanë ujë s’mund ta zhvillojnë veprimtarinë e tyre”, u tha Bexheti,
Edhe në të kaluarën ka pasur ankesa për këtë kanal të ujitjes.
Ndryshe, pas shumë zvarritjeve, viteve të lënë në harresë dhe shndërrimit në një “xhungël”, këto ditë kanë filluar punimet për rregullimin e shtratit të Lumit Shkumbin në Lagjen Dardania në Tetovë dhe pastrimin e deponisë brenda dhe rreth lumit.