U arrestuan për spiunazh në Shqipëri, u liruan 2 rusët dhe ukrainasi

Dy shtetasit rusë Mikhail Zorin, Svetlana Timofeeva dhe ukrainasi Fedir Alpatov të arrestuar verën e shkuar pasi u futën në uzinën e Gramshit, janë liruar nga burgu, raporton EN. Lirimi i tyre vjen për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

Gjykata e Elbasanit ka vendosur detyrim paraqitjeje për dy shtetasit rusë dhe arrest shtëpie për ukrainasin.

Mikhail Zorin, Svetlana Timofeeva dhe ukrainasi Fedir Alpatov po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve, teksa kanë tentuar që të futen brenda, u pikasën nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zorin, i sulmoi me spraj kimik.

Të rinjtë u arrestuan nga policia ndërsa u hetuan si spiunë të shërbimit sekret rus. Në çantën e tyre u gjetën aparatura të cilat përdoren nga agjentë spiunazhi për të fotografuar objekte.

Në mikroçipet e këtyre aparaturave janë gjetur gjithashtu edhe foto të Uzinës.