U aksidentua një veturë me emigrantë në Shqipëri, 8 të vdekur

Tetë persona kanë vdekur të martën herët kur një veturë e cila dyshohet se po bartte emigrantë doli nga rruga dhe ra buzë një lumi në jug të Shqipërisë, njoftoi Policia shqiptare, transmeton REL.

Shoferi thuhet të jetë shqiptar nga qyteti veriperëndimor, Shkodër, ndërsa emigrantët nga vende të treta.

Aksidenti ndodhi rreth orës 4:00 në rrugën Këlcyrë-Përmet në jug të vendit.

Policia tha se drejtuesi i veturës, i cili po i bartte shtatë emigrantë të jashtëligjshëm, e humbi kontrollin mbi timonin dhe doli nga rruga duke rënë buzë lumit Vjosa.

Paraprakisht, Policia kishte thënë se shtatë emigrantët e paligjshëm së bashku me shoferin humbën jetën në vendin e ngjarjes.

Drejtues të policisë vendore, të policisë kufitare dhe dy grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë kanë dalë në vendngjarje për të sqaruar rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.

Mediat vendore raportuan se vetura me emigrantë ka tentuar t’i shpëtojë ndjekjes së policisë dhe si pasojë e shpejtësisë së lartë ka dalë nga rruga, por kjo nuk është konfirmuar ende nga Policia.

Shqipëria është pjesë e rrugës ballkanike që e përdorin emigrantë të paligjshëm për të shkuar drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Ata hyjnë në territorin shqiptar nga Greqia dhe më pas udhëtojnë drejt Malit të Zi, në përpjekje për të arritur në BE.

Sipas Agjencisë Evropiane Kufitare, Frontex, viti 2023 shënoi një rritje rekorde të hyrjeve të parregullta të emigrantëve në BE përmes rrugës ballkanike.