‘Turbulenca’ në LSDM, Shilegov kërkoi dorëheqjen e Filipçes

Ish-kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, kërkoi dorëheqjen e kreut të LSDM-së, Venko Filipçe, nëpërmjet një postimi në Facebook. Ai fillimisht e akuzoi Filipçen se ka bërë vetëshkatërrim me qëllim, për ta sqaruar më pas se po kërkon dorëheqjen e tij, transmeton Portalb.mk.

“Legjislacioni maqedonas njeh vrasjen nga pakujdesia. Njeh edhe vrasjen me qëllim, por nuk njeh (vetëm) vrasjen me dashje!!!”, shkroi mes tjerash Shilegov.

Pas kësaj, ai dha “shpjegim” nëpërmjet një postimi tjetër se kërkonte dorëheqjen e Filipçes.

“Pasi ndoshta shumë nuk e kuptuan. Po!!! Kërkoj dorëheqjen e ‘kryetarit’ të LSDM-së!!!”, shtoi Shilegov.

LSDM dje, në një seancë të Bordit Qendror, zgjodhi udhëheqjen e re të partisë që dha dorëheqjen pas zgjedhjeve lokale. Ish-ministrja e Punës dhe Politikës Sociale dhe deputetja aktuale e LSDM-së, Jovana Trençevska, dhe Aleksandar Trajanovski janë nënkryetarët e rinj të LSDM-së.

Aleksandar Sasha Dimitrijeviq do të mbetet në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të LSDM-së, ndërsa Ljupço Farmakovski do të vazhdojë të shërbejë si sekretar organizativ i partisë.

Ky ekip, siç tha kreu i LSDM-së, po hyn në një luftë të guximshme dhe të vendosur kundër qeverisë jopopullore, kriminale dhe të korruptuar të VMRO-DPMNE-së, ZNAM-it dhe VLEN-it.

Mirëpo ndërkohë pardje pasdite, dorëheqje nga posti i kryetarit të organizatës komunale të LSDM-së në Kriva Pallankë dha kryetari i komunës, Sashko Mitovski, një nga të paktët që arriti fitore në zgjedhje.

Në dorëheqjen e Mitovskit, drejtuar Filipçes dhe sekretarit të përgjithshëm Dimitrijeviq, thuhet se ajo është e parevokueshme dhe se, duke u udhëhequr nga vlerat që përfaqëson LSDM-ja, ky është veprimi më korrekt nga ana e tij. Kjo është dorëheqja e dytë pas zgjedhjes së udhëheqjes së re.

Dje, nga posti i kryetarit të organizatës komunale të LSDM-së në Manastir u tërhoq edhe Metodija Kunovski, i cili ishte edhe kandidat për kryetar të komunës së Manastirit.

Kur u pyet pse është i vetmi nga strukturat udhëheqëse të partisë që nuk dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet lokale, Filipçe tha në një intervistë për “360 Gradë” të hënën se e kishte marrë këtë pozicion kohët e fundit.

“Epo, shikoni, mandati im katërvjeçar filloi disa muaj më parë. Mandati i plotë një vit e gjysmë më parë. E gjeta partinë në një situatë vërtet të vështirë, pas një disfate të rëndë në të cilën shumë njerëz ishin të zhgënjyer, letargjikë, etj. U desh shumë kohë për të ndryshuar gjërat, për të folur me mijëra anëtarë dhe mbështetës tanë. Dhe ky nuk është një proces që mund të ndodhë brenda natës. Askush nuk mund të presë që rezultatet të vijnë menjëherë, se do të bien nga qielli. Është një proces konsolidimi afatgjatë që përfshin shumë aktivitete, që ka shumë aspekte të ndryshme. Mandati im është katër vjet…”, tha ai.