Trupi gjykues refuzoi si provë një video që prokuroria tha se është ceremoni betimi e UÇK-së

Në Gjykatën Speciale në Hagë po vazhdon procesi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me dëgjimin e dëshmitarit të 16-të të Zyrës së Prokurorit të Specializuar. Ai po dëshmon nën masa mbrojtëse për periudhën e vitit 1998 dhe rreth zonës së Llapushnikut për të cilën ka thënë se komandanti kryesor ishte Fatmir Limaj, raporton Koha.net.

Në fillim të marrjes në pyetje, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një video për të cilën prokurorit Matt Halling ka thënë se është ceremoni betimi e UÇK-së.

Ai ka kërkuar që njëjta të pranohet si provë materiale, por është refuzuar nga trupi gjykues meqë aty nuk shihej se është kryer betimi.

Lidhur me këtë video ka reaguar mbrojtja e Thaçit, avokati Gregory Kehoe, i cili ka thënë se nuk ka asnjë bazë për shfaqjen e kësaj video meqë dëshmitari në gjykatore nuk ishte pjesë e saj.

Dëshmitari: I pari (në video) është me mustaqe Musë Jashari, i dyti është Fatmir Limaj, i treti është Kumanova-Ismet Jashari.

Prokuroi Halling: Këta ishin tre personat e pranishëm në ceremoninë e betimit që diskutuam në seancë private? Të nderuar gjykatës, duke pasur parasysh identifikimin që bëri dëshmitari dhe duke pasur parasysh se është pranuar në mënyrë të përkohshme si provë materiale shoqëruese për një dëshmitarë tjetër, ne mendojmë që është e përshtatshme që kjo të pranohet si provë materiale.

Avokati Kehoe: Doni të pranojmë një regjistrim për betim ku nuk ka betim konkretisht, thonë që është e njëjta por nuk është e njëjta, prokuroria thotë se një dëshmitar tjetër mund të verifikojë këtë, në rregull kur të vijë ky dëshmitar le ta bëjë, por kjo video nuk ka të bëjë fare me këtë dëshmitarë përveç faktit që Musë Jashari, Famtir Limaj, kanë qenë të pranishëm atje dhe Ismet Jashari. Dhe ju po tregoni si duken ceremonitë e betimit të UÇK-së që ishin shumë efikase, por ama betim nuk ka aty.

Gjykatësi Smith: Pranohet, nuk ka asnjë lidhje në këtë video të na tregojë për betim konkret aty. Kjo video është e pavlerë.

Pas kësaj, prokuroi ka thënë se do të ketë një tjetër dëshmitar që do të flas për këtë video.

Ai ka vazhduar me pyetje rreth strukturës së komandës në zonën e Llapushnikut. Dëshmitari ka thënë se komandanti kryesor ka qenë Fatmir Limaj.

Derisa ka thënë se ishte pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dëshmitari ka thënë se në periudhën e vitit 1998 kishte deklarata që pjesëtarët e LDK-së nuk duhej pranuar në UÇK.

“Një herë pasi kemi shkuar në Llapushnik kanë filluar të deklarohen disa ushtarë pa uniformë, të thjesht kanë qenë, as nuk e njihnin Rugovën, thoshin ta kishim zënë shallin, unë nuk e kuptova kush është shalli, por ne kishim hyrë me qëllim që të luftojmë me forcat serbe, pastaj e kuptova që është fjala për Rugovën, pengesë e tyre paska qenë Rugova. Ne kemi qenë pjesë e LDK-së deri shumë vonë pas luftës, atëherë një far lloj presioni që kemi pasur ka qenë edhe ky motiv, njerëzit e LDK-së pse janë kyçur në UÇK, kanë menduar këta njerëzit që kanë qenë në fillim që vetëm këta duhet ta udhëheqin luftën dhe vetëm këta duhet ta zotërojnë Kosovën, ashtu diçka”, ka thënë ai.

Sipas dëshmitarit, në atë kohë thuhej se pjesëtarët e LDK-së nuk janë të besueshëm.

Mbrojtja e Hashim Thaçit ka kërkuar që të tregohet se kush kishte bërë deklarata të tilla, por prokurori ka thënë se pyetjet rreth kësaj duhet të bëhen në seancë private.

Halling e ka pyetur dëshmitarin nëse ishte komanda e UÇK-së ajo që përhapte mesazhe të tilla.

“Mendoj që prej UÇK-së ka qenë sigurisht se nuk do të mund të fliste dikush, shumica prej luftëtarëve kanë qenë në LDK, atëherë ka pasur kundërshtime këtu, është pa qartë, veprimi i tyre, sjellja e tyre ndaj njerëzve të LDK-së, është parë qartë se ka pasur kundërshtime me thënë jo kjo nuk vazhdon kështu, duhet ndërprerë, nuk kemi të bëjmë me LDK-në, janë dashur të deklarohen ata”, ka thënë ai.

Pas kësaj, avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson, ka kërkuar që të bëhen pyetjet e përgjithshme në seancë publike dhe të vazhdohet pastaj me pyetje të tjera në seancë private, në mënyrë që të mos krijohen paqartësi dhe ndërprerje.

Seanca ka vijuar e mbyllur për publikun