Donald Trump armiqve të SHBA-ve u ofroi një “dhuratë të madhe” – kështu e sheh veprimin e tij Steven Kapus, shefi i Radios Evropa e Lirë/Radio Liberty (REL/RL). “Ajatollahët iranianë, udhëheqësit komunistë kinezë, autokratët në Moskë dhe Minsk do të festojnë për vdekjen e REL/RL pas plot 75 vjetësh ekzistencë. Dorëzimi i fitores kundërshtarëve tanë do t’i forcojë ata dhe do ta dobësojë Amerikën”. Shkas për këtë deklaratë të zymtë ishte urdhri ekzekutiv i 14 marsit i Shtëpisë së Bardhë. Me titullin “Vazhdimi i zvogëlimit së Burokracisë Federale”, në të janë shënuar tetë agjenci të cilat janë urdhëruar që t’i reduktojnë aktivitetet dhe numrin e punonjësve të tyre në minimum, transmeton Dojçe Vele (DW).
E dyta është Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM – U.S. Agency for Global Media), e cila është përgjegjëse për transmetuesit e huaj të financuar nga qeveria. Ajo vetë, ndër të tjera, menaxhon me stacionin e Zërit të Amerikës (VOA Voice of America) dhe financon stacione formalisht të pavarura si RGI/RL dhe Radio Azia e Lirë (Radio Free Asia). Të gjitha këto tani janë para mbylljes.
Reporterë pa kufij: “Goditje e rëndë ndaj lirisë së medias”
Mbyllja e më shumë se 60 programeve gjuhësore do të prekte miliona njerëz, sidomos në vendet ku qeveritë autokratike e pengojnë raportimin e lirë të shtypit vendas.
“Kjo është një goditje vërtet e rëndë për lirinë e shtypit,” tha Maren Pfalzgraf, korrespondente e seksionit gjerman të Reporterëve pa Kufij (RSF) përgjegjëse për Amerikën Veriore dhe Jugore, në një intervistë për DW.
“Ky vendim prek miliona njerëz në mbarë botën, të cilëve deri më tani u është përcjellë informacion i pavarur nga radiodifuzerët e huaj amerikanë”.

Shembulli i Zimbabvesë: U shua një zë armiqësor
Se çfarë do të thotë kjo në kuptimin konkret mund të ilustrohet nëpërmjet shembullit të Zimbabvesë. RSF e rendit këtë vend të Afrikës së Jugut në vendin e 116 në listën e lirisë së shtypit dhe këtë vlerësim të dobët, ndër të tjera, e arsyeton me mbikëqyrjen arbitrare të telekomunikacionit, shpifjet për opozitën në televizionin shtetëror dhe arrestimeve të rregullta të gazetarëve të pavarur. Në këtë peizazh të vështirë Zëri i Amerikës deri më tani transmetonte në tre gjuhët më të rëndësishme që fliten në këtë vend – anglisht, shona dhe ndebele.
Një gazetar nga Zimbabveja, i cili ka punuar kryesisht për Zërin e Amerikës, për DW deklaroi: “Mediat e kontrolluara nga qeveria deri më tani kanë injoruar çështje si të drejtat e njeriut, korrupsioni dhe të ngjashme. Në mediat sociale përfaqësuesit dhe mbështetësit e qeverisë po gëzonin me eufori gjatë fundjavës. Kjo flet shumë se sa media e rëndësishme ka qenë deri më tani Zëri i Amerikës.”
Donald Trump, Elon Musk dhe Kari Lake kanë këndvështrimin e tyre për Zërin e Amerikës
Si plotësim të urdhrit ekzekutiv Shtëpia e Bardhë lëshoi edhe një deklaratë me një titull që përqeshte emrin e Zërit të Amerikës: “Zëri i Amerikës Radikale”. Në të thuhet se urdhri siguron që “tatimpaguesit nuk duhet të paguajnë më për propagandë radikale”. Në përmbledhjen e linqeve janë prezantuar prova të supozuara për kritika. Fjalori i përdorur të përkujton një deklaratë të këshilltarit të Trump-it për derregullimin, Elon Musk: në muajin shkurt ai e quajti Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë “radikalë të krahut të majtë që flasin me vete dhe djegin një miliard dollarë amerikanë tatimorë në këtë proces”.
Maren Pfalzgraf nga Reporterët pa Kufij foli për Kari Lake, de fakto shefen e USAGM-së në kohën e Trump-it. “Ajo postoi në Twitter se dëshiron që t’i zgjerojë arritjet e Amerikës. Kjo flet për një ndikim editorial dhe se pikëpamjet e saj, ose pikëpamjet e administratës Trump, po përhapen në mbarë botën,” thotë Pfalzgraf.

Mllef dhe pushime nga puna në Uashington
Administrata e Trump menjëherë gjatë fundjavës pezulloi nga puna më shumë se 1.300 punonjës në Zërin e Amerikës. Një gazetare nga Azia që paraprakisht ka punuar në selinë në Uashington për DW tha se deri në fund të muajit nga puna ishin pushuar rreth 550 gazetarë. “Shumë nga këta 550 gazetarë nuk janë shtetas amerikanë, por janë në SHBA me viza për zhvillim profesional dhe tani duhet të largohen nga vendi”, ka shkruar ajo për DW.
Ajo është e zemëruar, e pikëlluar dhe jashtëzakonisht e shqetësuar për situatën. “Lajmet neutrale, objektive, të sakta dhe të bazuara në fakte janë gjithnjë e më të vështira për t’u ruajtur në një botë të përmbytur nga propaganda dhe dezinformatat. Jam krenare që pata mundësinë të punoj me gazetarë që prioritet e kanë të vërtetën.”
Zëri i Amerikës: “Burimi i pa censuruar më i sigurt i informacionit” i Lëvizjes Demokratike në Kinë
Zëri i Amerikës për herë të parë transmetoi programin e tij në vitin 1942 – në gjuhën gjermane, për të ofruar një alternativë të radio programeve të kontrolluara nga regjimi nazist. Numri i gjuhëve u rrit shumë shpejt. REL u themelua me një mision të ngjashëm gjatë Luftës së Ftohtë dhe RAL u hap në vitin 1996.
Chang Ping nga programi i DW në Kinë ishte i pranishëm në protestat prodemokratike në Kinë në vitin 1989. “Më kujtohen shumë mirë të gjithë që u mblodhën në një cep të kampusit për ta dëgjuar Zërin e Amerikës përmes altoparlantëve të vendosur nga studentët. Në atë kohë ai ishte burimi më i besueshëm dhe i pacensuruar i informacionit, i cili na bindi për vëmendjen ndërkombëtare për lëvizjen demokratike kineze dhe i inkurajoi protestat e studentëve,” shkruan Chang. Në fund protestat u shuan, ndërsa çdo përkujtim i qindra viktimave është shtypur nga shteti.
Chang vazhdon: “Të gjithë gazetarët e pavarur kinezë, avokatët e të drejtave të njeriut, tibetianët, ujgurët, mongolët dhe aktivistët e tjerë të të drejtave të njeriut morën njëfarë mbështetjeje nga Zëri i Amerikës dhe Radio Azia e Lirë. Sidomos pas ardhjes së Xi Jinping në pushtet, situata mediatike në Kinë është përkeqësuar, gjë që i bën këto raporte të pacensuruara edhe më të vlefshme”.

A mund ta shpëtojë BE-ja Radion Evropa e Lirë?
Zëri i Amerikës është pjesë e rrjetit radiodifuziv publik ndërkombëtar DG8, në të cilin bën pjesë edhe Deutsche Welle. Drejtori i Përgjithshëm i DW, Peter Limburg, në një konferencë shtypi afatshkurtër të realizuar online u ankua se administrata e Trump-it e kishte dobësuar lirinë dhe e kishte përforcuar autokracinë. “Përvoja e deritanishme e kolegëve tanë në Evropë është se: sapo që të shfaqet një vakum, kinezët dhe rusët do të përfitojnë nga kjo, gjë që është për të ardhur keq. Prandaj besoj se Evropa me të vërtetë duhet të bëjë urgjentisht diçka tani.”
Të paktën në rastin e Radios Evropa e Lirë me seli në Pragë, kjo madje edhe mund të bëhet: Ministri i Punëve të Jashtme të Çekisë, Jan Lipavsky, dëshiron të lobojë në Bashkimin Evropian për ta mbuluar buxhetin e RLE-së në të ardhmen.