Trump kërcënuan BE-në dhe Kanadanë me tarifa shtesë “nëse punojnë kundër SHBA-së”

Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi Bashkimin Evropian (BE) dhe Kanadanë me tarifa “të shkallës së lartë” nëse ata bashkëpunojnë për të dëmtuar ekonomikisht SHBA-në, transmeton Anadolu.

“Nëse BE-ja punon me Kanadanë për t’i bërë dëm ekonomik SHBA-së, tarifa në shkallë të gjerë, shumë më të mëdha se sa është planifikuar aktualisht, do të vendosen mbi të dyja për të mbrojtur mikun më të mirë që secili prej këtyre dy vendeve ka pasur ndonjëherë”, tha Trump në një postim në platformën sociale “Truth Social”.

Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv të mërkurën duke vendosur tarifa 25 për qind për importet e makinave të prodhimit të huaj dhe kamionëve të lehtë.

Njoftimi i Trumpit u prit me reagime të menjëhershme dhe ngriti shqetësime midis aleatëve të rëndësishëm të tregtisë globale.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen shprehu keqardhje të thellë në përgjigje të tarifave të fundit.

“Ndiej keqardhje të thellë për vendimin e SHBA-së për të vendosur tarifa mbi eksportet e automjeteve të BE-së. Tarifat janë taksa të këqija për bizneset, më të këqija për konsumatorët, në SHBA dhe BE”, tha ajo në X.

Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney e quajti këtë veprim “sulm të drejtpërdrejtë” ndaj punëtorëve kanadezë.

“Ne do të mbrojmë punëtorët tanë. Do të mbrojmë kompanitë tona. Do të mbrojmë vendin tonë, dhe do ta mbrojmë atë së bashku”, tha ai.